Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka bërë të ditur se burgu i Shënkollit në Lezhë do të transformohet në një institucion të specializuar për trajtimin e të dënuarve me probleme të shëndetit mendor.
Sipas ministrit, qeveria ka hartuar një plan për ta kthyer këtë institucion në një qendër që do të funksionojë sipas standardeve evropiane, duke ofruar trajtim të specializuar për personat e dënuar që vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor.
“Kemi një plan dhe do të jetë institucion i shëndetit mendor. Atje do të trajtohen të dënuarit, ashtu siç trajtohen të dënuarit që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor në çdo vend evropian. Do të marrë disa vite”, u shpreh ministri Gogu.
Ai theksoi se realizimi i këtij projekti do të kërkojë kohë dhe investime, ndërsa synimi është krijimi i një institucioni që garanton trajtim të përshtatshëm dhe në përputhje me praktikat më të mira evropiane për këtë kategori të dënuarish.
/abcnews.al/



