Sondazh

 

“Daily Mail”: Tirana në sytë e turistëve, një nga qytetet më ekonomike dhe më interesante të Evropës

schedule09:51 - 21 Korrik, 2026

schedule 09:51 - 21 Korrik, 2026

Kryeqyteti i Shqipërisë po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Sipas medias britanike Daily Mail, Tirana renditet ndër destinacionet urbane më ekonomike në Evropë, falë kombinimit të çmimeve të përballueshme, historisë, kulturës dhe atmosferës së gjallë që ofron për vizitorët.

Artikulli thekson se Tirana është renditur e treta në Evropë për koston më të ulët të një pushimi urban, sipas Barometrit të Kostove të Qyteteve 2026 të kompanisë britanike “Post Office”. Vizitorët mund të shijojnë atraksione kulturore me çmime simbolike, si shfaqjet në Teatrin e Operas, muzetë dhe një darkë tradicionale në restorante cilësore, ndërsa akomodimi dhe fluturimet mbeten ndër më të lirat në kontinent.

Daily Mail rekomandon gjithashtu një vizitë në Durrës, vetëm 40 kilometra nga Tirana, duke vlerësuar amfiteatrin romak, shëtitoren bregdetare dhe atmosferën e qetë larg turizmit masiv.



Në Tiranë, vëmendje të veçantë marrin muzeu “Shtëpia me Gjethe”, komplekset Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2, si dhe teleferiku i Dajtit, që ofron pamje panoramike të kryeqytetit. Artikulli ndalet edhe te zona e Bllokut, e cila sot është kthyer në një nga qendrat më të frekuentuara për gastronominë dhe jetën e natës.

Sipas medias britanike, ajo që e bën Tiranën të veçantë është energjia e qytetit, mikpritja e banorëve dhe kontrasti mes së kaluarës komuniste dhe zhvillimit modern, duke e kthyer kryeqytetin shqiptar në një destinacion që ofron shumë vlerë për paratë e shpenzuara.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!