Policia e Vlorës zbardhi ngjarjen e një dite më parë, ku 11 emigrantë nga vendet e treta rrezikuan të mbyteshin në ujërat pranë ishullit të Sazanit, teksa tentonin të kalonin drejt Italisë me një gomone.
Pas hetimeve të shpejta, është identifikuar dhe arrestuar personi që dyshohet se organizoi transportin e paligjshëm të emigrantëve. Në pranga ka rënë 43-vjeçari Masud Emir, shtetas afgan, i cili ndodhej në bordin e gomones bashkë me 10 emigrantët e tjerë.
Sipas policisë, ai dyshohet se kishte organizuar nga Greqia futjen e paligjshme të emigrantëve në Shqipëri, me qëllim kalimin e tyre drejt Italisë. Për këtë operacion, ai kishte siguruar edhe mjetin lundrues, të cilin e kishte marrë në zonën e Semanit në Fier, pasi i ishte dërguar si vendndodhje nga një shtetas shqiptar, ende i paidentifikuar.
Hetuesit dyshojnë se 43-vjeçari, në bashkëpunim me personin shqiptar që vijon të kërkohet, kishte ndërtuar skemën e transportit të emigrantëve nga kufiri grek drejt brigjeve shqiptare dhe më pas drejt Italisë.
Ngjarja u zbulua në orët e para të mëngjesit të së premtes, pas një sinjali SOS të marrë në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Vlorë nga një numër telefonik grek. Sipas njoftimit të policisë, gomonia u lokalizua në veri të ishullit të Sazanit, ndërsa emigrantët u shpëtuan falë ndërhyrjes së koordinuar të Policisë Kufitare, Rojes Bregdetare dhe Guardia di Finanza.
Mjeti lundrues kishte probleme në det dhe, sipas autoriteteve, kishte sasi të pamjaftueshme karburanti, duke rrezikuar jetën e personave që ndodheshin në bord.
11 emigrantët, shtetas nga Afganistani, Bangladeshi, Pakistani dhe Haiti, u transportuan në breg dhe iu nënshtruan kontrolleve mjekësore, ndërsa më pas u shoqëruan për procedurat përkatëse.
Për ngjarjen, Masud Emir u arrestua për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, ndërsa 10 emigrantët janë proceduar për “Kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror”.



