Shqipëria pritet të vendosë për herë të parë një kuadër ligjor të posaçëm për raportimin dhe shkëmbimin automatik të informacionit mbi kripto-asetet. Projektligji synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, në kuadër të procesit të integrimit.
Projektligji parashikon që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të jetë autoriteti përgjegjës për administrimin e sistemit të raportimit, mbledhjen dhe shkëmbimin e informacionit, si edhe për mbikëqyrjen e zbatimit të detyrimeve nga subjektet raportuese.
Ofruesi i shërbimit të kriptoaseteve do të ketë detyrimin që të raportojë pranë administratës tatimore të identifikoj klientët, të verifikojnë rezidencën e tyre tatimore, të mbledhin dhe ruajnë informacion mbi transaksionet, si dhe ta raportojnë atë periodikisht pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Dokumentacioni do të duhet të ruhet për të paktën shtatë vjet.
Në rast të shkeljes së këtyre detyrimeve parashikohet edhe vendosja e gjobave që variojnë nga 700 mijë lekë deri në 1 milionë lekë.
Objektivi kryesor i nismës është rritja e transparencës fiskale, forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e tatimeve dhe krijimi i një kuadri të unifikuar për monitorimin e transaksioneve me kripto-asete, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Sipas relacionit shoqërues, shpjegohet se rritja e përdorimit të kripto-aseteve për investime, pagesa dhe transferta ndërkufitare ka krijuar vështirësi për autoritetet tatimore në identifikimin e të ardhurave dhe pronësisë së këtyre aseteve, duke shtuar rrezikun e evazionit fiskal.



