Thimjo Rubati, 50 vjeç, i plagosur rëndë në atentatin e ndodhur në Sarandë, pritet të dërgohet për mjekim të specializuar në Janinë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Sipas informacioneve paraprake, Rubati është një person i njohur për autoritetet. Ai ka dalë vitet e fundit nga një burg në Greqi, ku ishte akuzuar për një ngjarje të rëndë penale. Gjatë kohës që ndodhej në burg në Greqi, ai kërkohej në Shqipëri për një dosje që lidhej me trafikimin dhe kontrabandimin e automjeteve, ku ishin përfshirë edhe punonjës doganorë.
Policia e Sarandës vijon kërkimet për autorët e atentatit. Pas plagosjes, autorët dyshohet se janë larguar me motor nga rruga “Mitat Hoxha” në drejtim të zonës së varrezave të qytetit, në lagjen “Baba Rexhepi”, ku kanë humbur gjurmët. Për shkak të terrenit të vështirë dhe afërsisë me bregdetin, kontrollet pritet të shtrihen edhe në zonën detare.
Rubati u qëllua mbrëmjen e së premtes në lagjen nr. 4 të Sarandës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve pas ndërhyrjes kirurgjikale. Hetimet vijojnë për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.



