Ministri iranian i Naftës, Mohsen Paknejad, ka deklaruar se eksportet e naftës së vendit do të vazhdojnë pa ndërprerje, pavarësisht rivendosjes nga Shtetet e Bashkuara të sanksioneve ndaj shitjes së naftës iraniane.
Në një postim në Telegram, Paknejad theksoi se Irani ka ndërtuar prej kohësh mekanizmat e nevojshëm për të zbutur ndikimin e sanksioneve amerikane.
“Strukturat dhe mekanizmat e krijuar për përballimin e sanksioneve nuk u çmontuan gjatë periudhës 60-ditore të pezullimit dhe vazhdojnë të jenë plotësisht funksionalë”, deklaroi ai.
Departamenti amerikan i Thesarit kishte pezulluar fillimisht për 60 ditë sanksionet ndaj shitjes së naftës iraniane, në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit. Megjithatë, ato u rivendosën më 7 korrik, në të njëjtën periudhë kur SHBA ndërmori sulme ndaj Iranit, si kundërpërgjigje ndaj një serie sulmesh ndaj anijeve tregtare pranë Ngushticës së Hormuzit.
Pavarësisht kufizimeve, Irani prej vitesh mbështetet te një të ashtuquajtur “flotë në hije” cisternash për të shmangur sanksionet amerikane, duke eksportuar pjesën më të madhe të naftës së tij drejt Kinës.
Sipas një analize të TankerTrackers, gjatë muajit qershor Irani eksportoi rreth 50 milionë fuçi naftë bruto, kryesisht përmes kësaj flote të cisternave që operojnë jashtë kanaleve tradicionale të transportit.