Dy mjete lundruese janë bllokuar nga Policia Kufitare e Vlorës pasi u konstatuan duke lëvizur në mënyrë të rrezikshme pranë zonave të plazhit, duke vënë në rrezik sigurinë e pushuesve.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, evidentuan një mjet lundrues tip Jet Ski që lëvizte në afërsi të bregut në plazhin e Semanit.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi me iniciale E. D., u ndëshkua me masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj, si dhe mjeti iu bllokua administrativisht.
Gjatë kontrolleve në sektorin e quajtur “Plazhi i Hidrovorit”, efektivët e Policisë Kufitare konstatuan gjithashtu një mjet lundrues tip gomone, i cili lëvizte në zonën e plazhit pranë pushuesve, në kundërshtim me rregullat e sigurisë.
Nga verifikimet rezultoi se drejtuesi i mjetit, shtetasi austriak me iniciale J. H., nuk dispononte dokumentacionin përkatës të mjetit lundrues. Për këtë shkelje, ndaj tij u vendos masë administrative prej 510 mijë lekësh të rinj, ndërsa gomonia u bllokua.
Policia e Shtetit ka apeluar ndaj të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese që të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë në zonat e plazheve, duke paralajmëruar masa të menjëhershme ndaj çdo shkeljeje që rrezikon jetën e pushuesve.



