Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar Iranit që të deklarojë publikisht se Ngushtica e Hormuzit është e hapur për lundrim dhe të premtojë se nuk do të qëllojë më anijet tregtare, sipas BBC.
Kjo është një nga kushtet kryesore për vazhdimin e bisedimeve mes dy vendeve, të planifikuara sot në Oman.
Sipas medieve amerikane, zyrtarët iranianë i kanë pranuar privatisht administratës së presidentit Donald Trump se sulmet ndaj anijeve tregtare ishin një gabim, por kanë pretenduar se ato u kryen nga një grup i pakontrolluar brenda Iranit, pa urdhër nga udhëheqja.
Presidenti Trump tha se negociatat do të vazhdojnë, edhe pse SHBA-ja e konsideron sulmin ndaj anijeve, si shkelje të armëpushimit të arritur në qershor.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi se Irani e ka respektuar armëpushimin, ndërsa akuzoi SHBA-në se ka shkelur marrëveshjen.
Çfarë kërkon SHBA-ja?
Sipas “Reuters” dhe “CBS News”, Uashingtoni kërkon që Irani: të shpallë zyrtarisht se Ngushtica e Hormuzit është e sigurt dhe e hapur për lundrim; të zotohet se nuk do të sulmojë më anijet tregtare dhe të pranojë publikisht se sulmet e fundit ishin një gabim.
Një zyrtar amerikan paralajmëroi se, nëse Irani nuk e bën këtë, negociatat nuk do të kenë një rezultat pozitiv.
Kush do të marrë pjesë në bisedime?
Delegacioni amerikan pritet të drejtohet nga zëvendëspresidenti JD Vance, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Në takim pritet të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi.
Ndërkohë, Katari ka dërguar një delegacion në Iran, për të ndihmuar në uljen e tensioneve dhe garantimin e lundrimit të sigurt në Ngushticën e Hormuzit.
Deklaratat e Trump
Trump shkroi në “Truth Social” se Irani ka kërkuar vazhdimin e bisedimeve, por paralajmëroi se armëpushimi ka marrë fund.
Ai reagoi gjithashtu ndaj raportimeve për një plan të dyshuar iranian për ta vrarë, duke kërcënuar se SHBA-ja do të “shkatërronte plotësisht” zonat përgjegjëse në Iran, nëse do të ndërmerrej një sulm i tillë.
Situata në terren
Të premten nuk u raportuan sulme të reja. Më herët gjatë javës, tre anije tregtare u goditën në një korridor detar të rekomanduar nga SHBA pranë ujërave të Omanit.
Muajin e kaluar, SHBA-ja dhe Irani arritën një memorandum me 14 pika për zgjatjen e armëpushimit dhe uljen e tensioneve.
Një pjesë e marrëveshjes parashikon bisedime mes Iranit, Omanit dhe vendeve të Gjirit, për mënyrën se si do të administrohet dhe do të funksionojë lundrimi në Ngushticën e Hormuzit në të ardhmen.
Sipas medias iraniane “Fars”, Irani synon që administrimi i ngushticës të bëhet në koordinim me Omanin, duke shqyrtuar edhe vendosjen e tarifave për anijet që kalojnë aty.



