Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka bërë publike planin e masave për mbarëvajtjen e koncertit të artistit ndërkombëtar Kanye West, i cili do të zhvillohet më 11 korrik në “Eagle Stadium”. Për shkak të fluksit të lartë të pjesëmarrësve, policia ka njoftuar kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 07:00 deri në 24:00 do të ndalohet qarkullimi në aksin dytësor të autostradës “Durrës–Tiranë”, nga “Eiffeli” deri te “Casa Italia”. Ky segment do të funksionojë vetëm me sens daljeje për subjektet e zonës.
Po në të njëjtin interval kohor, do të bllokohet korsia e daljes së autostradës në rrethrrotullimin e “Casa Italia”, si edhe segmenti “Casa Italia” – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho”.
Ndërkohë, nga ora 12:00 deri në 24:00, nuk do të lejohet qarkullimi në itinerarin “Sokrat Miho” – “Kasem Shima” – “7 Nëntori”, i cili do të funksionojë vetëm me sens daljeje.
Policia bën me dije gjithashtu se në aksin nga Ura e Institutit deri te “Casa Italia” mund të ketë bllokime të pjesshme të trafikut, në varësi të numrit të pjesëmarrësve, me qëllim garantimin e sigurisë dhe menaxhimin e qarkullimit.
Koncerti do të zhvillohet në “Eagle Stadium”, një strukturë e ngritur në kilometrin e parë të autostradës Tiranë–Durrës, me një kapacitet prej rreth 60 mijë spektatorësh dhe një sipërfaqe prej 65 mijë metrash katrorë.
Kufizimet e qarkullimit:
07:00 – 24:00: Nga “Eiffeli” deri te “Casa Italia”.
07:00 – 24:00: Dalja e autostradës te “Casa Italia”.
07:00 – 24:00: “Casa Italia” – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho”.
12:00 – 24:00: “Sokrat Miho” – “Kasem Shima” – “7 Nëntori”.



