Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni dhe Teherani kanë rënë dakord të rifillojnë bisedimet diplomatike, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, ai theksoi se armëpushimi i arritur muajin e kaluar mes dy palëve “nuk ekziston më”.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump pretendoi se ishte Irani ai që kishte kërkuar vazhdimin e dialogut.
“Irani na kërkoi të vazhdonim bisedimet. Ne ramë dakord, por e bëmë shumë të qartë se armëpushimi tani ka mbaruar”, shkroi presidenti amerikan.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane i hodhën poshtë këto pretendime. Ministria e Jashtme e Iranit deklaroi se Teherani nuk ka kërkuar rifillimin e negociatave me SHBA-në, por vetëm ka pranuar vizitën e ndërmjetësve nga Katari.
Zëdhënësi i ministrisë paralajmëroi gjithashtu se çdo shkelje e angazhimeve nga ana e Shteteve të Bashkuara do të përballet me “veprime hakmarrëse”, duke rritur më tej tensionet mes dy vendeve.



