Parlamenti Europian ka votuar më 9 korrik ndryshime në rregulloren e njohur nga kritikët si “Chat Control”, një masë që lidhet me zbulimin dhe luftimin e materialeve që përmbajnë abuzim seksual ndaj të miturve në internet.
Megjithatë, votimi nuk nënkupton vendosjen e një sistemi të detyrueshëm për kontrollin e të gjitha mesazheve private dhe nuk ndryshon menjëherë mënyrën sesi komunikojnë qytetarët europianë.
Termi “Chat Control” nuk është emri zyrtar i një ligji europian, por një shprehje e përdorur nga kundërshtarët e projektit për të përshkruar masat që lejojnë ose mund të imponojnë analizimin automatik të komunikimeve private. Në debat janë përfshirë dy iniciativa të ndryshme. E para, e njohur si “Chat Control 1.0”, është një përjashtim i përkohshëm nga rregullat e privatësisë elektronike, ndërsa “Chat Control 2.0” është një projekt-rregullore e re e propozuar nga Komisioni Europian në vitin 2022, e cila ende nuk është miratuar. Votimi i fundit lidhet vetëm me versionin e parë.
Eurodeputetët miratuan një amendament që përjashton nga kjo rregullore komunikimet e mbrojtura me enkriptim “end-to-end”. Kjo do të thotë se bisedat private në aplikacione si UhatsApp, Signal apo shërbime të tjera që përdorin këtë teknologji nuk duhet të jenë objekt i analizës automatike sipas tekstit të miratuar nga Parlamenti.
Përpjekja për të rrëzuar plotësisht pozicionin e Këshillit të Bashkimit Europian mori 314 vota pro, 276 kundër dhe 17 abstenime. Edhe pse shumica e deputetëve votuan pro, nuk u arrit numri i nevojshëm prej 360 votash për ta bllokuar procedurën. Ndërkohë, amendamentet që mbrojnë enkriptimin arritën shumicën e kërkuar dhe u miratuan.
Pas këtij votimi, teksti i ndryshuar rikthehet në Këshillin e Bashkimit Europian. Institucioni ka tre muaj kohë për të pranuar ndryshimet e Parlamentit ose për të hapur një fazë negociatash dhe pajtimi mes dy institucioneve. Deri në përfundimin e këtij procesi, për qytetarët europianë nuk ndryshon asgjë në aspektin praktik.
Rregullat aktuale burojnë nga direktiva europiane për privatësinë elektronike, e cila garanton që komunikimet elektronike të mbeten konfidenciale. Në vitin 2021, Bashkimi Europian miratoi një përjashtim të përkohshëm, i cili u lejon kompanive që ofrojnë shërbime komunikimi online të analizojnë në mënyrë vullnetare përmbajtjen e mesazheve dhe disa të dhëna shoqëruese për të identifikuar materiale që lidhen me abuzimin seksual ndaj të miturve. Kjo analizë synon heqjen e materialeve të paligjshme dhe raportimin e tyre tek autoritetet përkatëse.
Një element thelbësor është fakti se kjo praktikë mbetet vullnetare. Rregullorja nuk detyron të gjitha platformat të kontrollojnë komunikimet e përdoruesve, por u jep atyre bazën ligjore për ta bërë këtë, nëse vendosin ta aplikojnë.
Ky sistem ndryshon nga përgjimet tradicionale, ku kontrolli autorizohet nga një gjykatë dhe kryhet ndaj personave të dyshuar për një vepër penale. Në rastin e “Chat Control”, është vetë ofruesi i shërbimit që mund të përdorë mjete automatike për të analizuar një numër shumë më të madh komunikimesh, përfshirë edhe ato të personave ndaj të cilëve nuk ekziston asnjë dyshim.
Teknologjitë e përdorura për zbulimin e materialeve të paligjshme nuk funksionojnë të gjitha në të njëjtën mënyrë. Për fotografitë dhe videot që janë identifikuar më parë nga autoritetet përdoret një sistem i quajtur “hash”, i cili krijon një gjurmë dixhitale unike për çdo skedar. Nëse një platformë gjen një skedar me të njëjtën gjurmë, ai mund të bllokohet ose të raportohet automatikisht. Kjo teknologji përdoret prej vitesh nga kompani të mëdha teknologjike si Google, Meta, Microsoft dhe Snap për të parandaluar shpërndarjen e materialeve të njohura të abuzimit seksual ndaj të miturve.
Më kompleks është identifikimi i materialeve të reja, të cilat nuk janë regjistruar më parë në bazat e të dhënave. Në këto raste përdoren algoritme të inteligjencës artificiale që analizojnë përmbajtjen dhe japin një vlerësim probabilistik nëse një imazh mund të përmbajë elemente të abuzimit. Një nivel edhe më i ndërlikuar është zbulimi i rasteve të joshjes së të miturve në internet, ku programet analizojnë tekstet, rrjedhën e bisedave, moshën e deklaruar të përdoruesve dhe elementë të tjerë të komunikimit për të identifikuar sjellje të dyshimta.
Ekspertët paralajmërojnë se sa më kompleks të jetë algoritmi, aq më i madh është rreziku i gabimeve. Fotografi familjare, biseda mes adoleshentësh ose materiale me karakter mjekësor mund të klasifikohen gabimisht si të dyshimta dhe të kalojnë për verifikim nga një operator njerëzor.
Edhe Autoriteti Europian për Mbrojtjen e të Dhënave ka theksuar se lufta kundër abuzimit seksual ndaj të miturve është një prioritet, por ka kërkuar garanci të forta për të shmangur kontrollin e përgjithshëm dhe të pakufizuar të komunikimeve private. Sipas këtij institucioni, çdo masë që prek privatësinë duhet të mbështetet në një bazë të qartë ligjore dhe të respektojë të drejtat themelore të qytetarëve. Për momentin, debati mbetet i hapur dhe vendimi përfundimtar do të varet nga negociatat mes Parlamentit Europian dhe Këshillit të Bashkimit Europian.



