Dumreja në qarkun e Elbasanit po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një zonë të preferuar për kultivimin e bimëve aromatike mjekësore dhe erëzave, të cilat kanë gjetur një treg të qëndrueshëm si në kuzhinë ashtu edhe në industrinë përpunuese.
Në fshatin Dushk të Bashkisë së Belshit, fermerët po i kushtojnë gjithnjë e më shumë sipërfaqe këtyre kulturave, duke zëvendësuar gradualisht mbjelljet tradicionale me bimë që, pavarësisht kërkesave më të larta për kujdes, ofrojnë më shumë siguri ekonomike.
Një prej tyre është Ruzhdi Rabia, i cili prej më shumë se 15 vitesh kultivon vetëm rigon në tokat e tij.
Ndryshe nga kulturat e tjera bujqësore, rigoni kërkon një periudhë rreth trevjeçare përpara se të jetë gati për treg.
Për fermerin, mbështetja më e nevojshme lidhet me përmirësimin e infrastrukturës vaditëse, veçanërisht sistemimin e kanaleve, ndërsa pjesën tjetër të procesit të kultivimit e përballon me punën e familjes së tij.
Terreni dhe kushtet klimatike të Dumresë krijojnë mundësi të favorshme për kultivimin e një game të gjerë bimësh aromatike. Përveç rigonit, vitet e fundit fermerët po tregojnë interes në rritje edhe për kultura si lule ciani, trumza apo shafrani, duke i dhënë një tjetër drejtim bujqësisë së kësaj zone.



