TIRANË- Një grup i organizuar është koordinuar me profile false dhe reale, duke sulmuar faqet e bizneseve të ndryshme. Mbi 10 mijë llogari në rrjetet sociale, 150 prej të cilave janë identifikuar, po përdoren për të sulmuar aktivitetet e bizneseve në sektorin e turizmit.
Një shqetësim serioz, për të cilin strukturat e krimit kibernetik kanë nisur hetimet dhe do të zbatojnë ligjin. Kështu u shpreh drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit në një konferencë për mediat, në lidhje me revieë-t negative që po u bëhen bizneseve të ndryshme në rrjetet sociale. Kjo nuk dëmton vetëm bizneset, por ndikon edhe në turizmin e vendit, tha Hita.
“Shqetësim serioz, për një veprimtari të dyshuar të koordinuar në hapësirën kibernetike. Kjo veprimtari rrezikon të dëmtojë jo vetëm biznese, por edhe imazhin e Shqipërisë si një vend i sigurt dhe mikpritës. Mbi 10 mijë llogari me modele aktiviteti të dyshimtë. Ka llogari edhe me profile të rregullta që janë identifikuar. Janë evidentuar raste kur e njëjta llogari ka publikuar vlerësime negative për biznese në qytete si Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Korça, Vlora e Saranda. Nëse provohet që është e qëllimshme, prek konkurrencën, besimin e konsumatorëve dhe perceptimin e Shqipërisë si një destinacion i sigurt. Çdo përpjekje për të cenuar interesin ekonomik të vendit do të trajtohet me prioritet maksimal”, tha Hita
Kryepolici Skënder Hita konfirmoi zyrtarisht arsyet përse politikanë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut nuk janë lejuar të kalojnë në pikën kufitare të Qafë Thanës. Sipas tij, deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, si edhe një person tjetër, kanë pasur pengesa të ligjshme dhe nuk u është lejuar kalimi.
“Dje në pikën kufitare të Qafë Thanës janë paraqitur katër shtetas për të kaluar kufirin. Tre dispononin edhe pasaporta diplomatike dhe u bë me dije që ata mund të vazhdonin udhëtimin, por një person me ta, i cili kishte pengesa të ligjshme në kufi, nuk ka mundur të udhëtojë drejt Republikës së Shqipërisë. Në këtë kuadër, të katër personat nuk kanë pranuar që të vazhdojnë udhëtimin dhe janë kthyer për në Maqedoninë e Veriut.” theksoi Hita
Por Skënder Hita konfirmoi se tashmë shteti po reagon ndaj elementëve që cenojnë sigurinë kombëtare dhe se kjo tashmë nuk do të ndalojë.
“Gjatë vitit 2025 kemi kthyer edhe persona të tjerë, në 625 raste. Edhe gjatë gjashtëmujorit të parë kemi të evidentuar dhe të kthyer persona në 425 raste të tjera. Kështu që kjo është një punë e përditshme dhe nuk ka vend për panik apo të thuhet që policia nuk ka qenë prezente për të kryer detyrën e saj.” -u shpreh ai.
Megjithëse nuk ka lidhje direkte me protestën në bulevard, duket se kjo ngjarje ka evidentuar një problem serioz të sigurisë kombëtare: infiltrimin e elementëve ekstremistë të paguar nga shtete jo mike.
“Nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me protestën, por me aktivitet të vazhdueshëm të disa prej elementëve ekstremistë fetarë në Maqedoninë e Veriut, të financuar nga para të dyshimta, nga Lindja e Mesme, të cilat depozitohen në disa shoqata në Maqedoninë e Veriut.” u shpreh Karamuco, një ditë më parë në Real Story.
Sipas ekspertëve të kriminalistikës, aktiviteti i tyre është shtuar në muajin e fundit.
“Ky nuk është rasti i parë. Janë paralajmëruar herë pas here nga ana e institucioneve tona mbi veprimtarinë e tyre. Për një prej tyre dyshohet se merr financime nga disa vende jo mike me Shqipërinë, për të aktivizuar elementë ekstremistë në Maqedoninë e Veriut. Elementë ekstremistë që kanë ardhur dhe kanë qenë pjesë e protestave në Shqipëri. Dy herët e fundit, disa prej tyre janë shpallur non grata. Njëri madje me pasaportë amerikane, nga Maqedonia e Veriut. Kanë dhënë edhe deponimet e tyre.” shtoi Karamuco
Duket se Policia e Shtetit më në fund është zgjuar për luftën hibride në Shqipëri nga aktorë apo shtete të huaja armiqësore, të cilët shfrytëzojnë eksponentë shqiptarë me precedentë nga Kosova apo Maqedonia e Veriut, që vijojnë të sponsorizojnë kaos dhe destabilizim, duke shfrytëzuar edhe ngjarje masive si protestat qytetare në bulevardin e Tiranës.
Fjala e plotë:
Siç kemi premtuar, Policia e Shtetit do të jetë gjithmonë në një komunikim të hapur, transparent dhe të përgjegjshëm me qytetarët dhe opinionin publik, duke informuar në kohë për çdo çështje që prek sigurinë publike, interesin e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Në kuadër të këtij angazhimi, sot jam para jush, për të bërë publik një shqetësim serioz, i cili lidhet me një veprimtari të dyshuar të koordinuar në hapësirën kibernetike.
Kjo veprimtari, nëse konfirmohet nga hetimet, rrezikon të dëmtojë jo vetëm biznese të caktuara, por dhe sektorin e turizmit dhe imazhin e Shqipërisë si një vend i sigurt dhe mikpritës.
Gjatë ditëve të fundit, strukturat tona të luftës kundër krimeve kibernetike kanë evidentuar një aktivitet të dyshuar të koordinuar në platformat online, i cili konsiston në publikimin masiv të vlerësimeve (reviews) dhe komenteve negative ndaj hoteleve, restoranteve dhe subjekteve të tjera që ushtrojnë aktivitet në sektorin e turizmit në Shqipëri.
Nga veprimet e para verifikuese, administrimi i kallëzimeve dhe analiza e të dhënave të siguruara deri në këtë fazë, rezultojnë indicie për ekzistencën e një rrjeti llogarish që kanë vepruar në mënyrë të sinkronizuar në platformat ndërkombëtare të vlerësimit të hoteleve, restoranteve, resorteve dhe destinacioneve turistike.
Brenda një periudhe të shkurtër kohore, këto llogari dyshohet se kanë publikuar në masë, komente dhe vlerësime negative, me qëllim krijimin e një perceptimi të rremë dhe dëmtimin artificial të reputacionit online të bizneseve shqiptare.
Nga analiza fillestare rezultojnë mbi 10 000 llogari në rrjetet sociale me modele aktiviteti të dyshimtë, të cilat janë aktualisht objekt verifikimi nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit.
Konkretisht një pjesë e konsiderueshme e llogarive dyshohet se janë krijuar rishtazi dhe janë përdorur në funksion të kësaj veprimtarie, por ka dhe llogari me profile të sakta, të cilat janë identifikuar nga ana jonë dhe po vijojnë veprimet hetimore.
Janë evidentuar raste ku e njëjta llogari ka publikuar, brenda një kohe shumë të shkurtër, vlerësime negative për biznese në qytete të ndryshme, përfshirë Tiranën, Durrësin, Vlorën, Sarandën, Elbasanin, Shkodrën dhe Korçën.
Sinkronizimi kohor, ngjashmëria e përmbajtjes dhe mënyra e shpërndarjes së aktivitetit përbëjnë tregues kyç që po analizohen nga grupi hetimor për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një veprimtari të organizuar.
Një aktivitet i tillë, nëse provohet se është i qëllimshëm, nuk cenon vetëm interesat e bizneseve të prekura, por prek dhe konkurrencën e ndershme, besimin e konsumatorëve dhe perceptimin e Shqipërisë si destinacion turistik.
Turizmi është një sektor strategjik i ekonomisë kombëtare dhe një aset i rëndësishëm i imazhit ndërkombëtar të vendit tonë. Çdo përpjekje e organizuar për të manipuluar përceptimin publik, për të dëmtuar bizneset shqiptare apo për të cenuar interesin ekonomik të vendit, do të trajtohet me prioritet maksimal nga Policia e Shtetit.
Në këtë kuadër, kam urdhëruar strukturat e specializuara, veçanërisht ato të Hetimit të Krimit Kibernetik, që të vijojnë me intensitet të lartë veprimet procedurale për identifikimin e autorëve dhe personave që qendrojnë pas kësaj veprimtarie, gjurmimin e infrastrukturës teknike të përdorur, analizimin e lidhjeve ndërmjet llogarive, evidentimin e mënyrës së organizimit, sigurimin dhe administrimin e provave dixhitale, si dhe bashkëpunimin me platformat online dhe partnerët ndërkombëtarë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Materialet procedurale do t’i referohen organit të Prokurorisë, pasi nga të dhënat e administruara ekzistojnë dyshime për elemente të veprave penale në fushën e krimeve kompjuterike, si dhe dëmtimit të interesave ekonomike dhe reputacionit.
Dua ta bëj të qartë se çdo person që do të rezultojë i përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm, pavarësisht vendndodhjes së tij, do të përballet me forcën e ligjit.
Në emër të Policisë së Shtetit, iu bëj thirrje administratorëve të hoteleve, restoranteve dhe subjekteve të tjera turistike që kanë konstatuar raste të ngjashme, të paraqesin kallëzim pranë strukturave tona të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe të ruajnë çdo provë elektronike që mund t’i shërbejë hetimit.
Të nderuar qytetarë,
Dëshiroj të theksoj se, krahas këtij hetimi specifik, Policia e Shtetit vijon me intensitet të plotë zbatimin e Planit të Masave për garantimin e një sezoni turistik të sigurt në të gjithë vendin.
Strukturat tona janë në terren, çdo ditë, për parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit në të gjitha format e tij, parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, luftën kundër trafiqeve të paligjshme, identifikimin dhe arrestimin e autorëve të zjarrvënieve, parandalimin e kultivimit të kanabisit dhe shpërndarjes së drogave të forta, kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, goditjen e krimeve mjedisore dhe ekonomike, si dhe të lojërave të fatit, armëmbajtjes pa leje dhe krimeve ndërkufitare.
Një prioritet i rëndësishëm është rritja e sigurisë rrugore, përmes monitorimeve të shtuara në akset kryesore dhe zonat turistike, duke përdorur mjete inteligjente dhe dronë, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e një qarkullimi sa më të sigurt dhe të rrjedhshëm, pavarësisht fluksit gjithnjë në rritje të automjeteve.
Po ashtu, Policia Kufitare, Njësia Policore Detare dhe Policia Alpine janë në gatishmëri të plotë për t’iu shkuar në ndihmë qytetarëve dhe turistëve, duke ofruar asistencë, orientim dhe ndërhyrje të menjëhershme në çdo rast nevoje qoftë në zonat e thella malore ashtu dhe në hapësirën detare.
Çdo strukturë e Policisë së Shtetit është në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve 24 orë në 24, me një objektiv të vetëm, që çdo qytetar dhe çdo turist të ndihet i sigurt në çdo cep të territorit të Republikës së Shqipërisë.
Shqipëria është një vend i sigurt dhe mikpritës.
Ne do të vijojmë të përmbushim me vendosmëri detyrën tonë kushtetuese për mbrojtjen e jetës, pronës, rendit publik dhe interesit të vendit, në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, bizneset, institucionet dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.



