Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Katër spanjollë, të pandehur në gjyq/ Pastruan para përmes shoqërive fiktive, blinin prona në Dhërmi

schedule13:32 - 7 Korrik, 2026

schedule 13:32 - 7 Korrik, 2026

Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim 4 shtetas spanjollë, të cilët akuzohen për pastrim parash përmes kompanive fiktive në vende të ndryshme, përfshirë edhe Shqipërinë. Mbi kreun e grupit kriminal Domingo Iriarte, djalin e tij së bashku me bashkëshorten dhe një shtetase tjetër, rëndojnë akuzat për pastrim parash, e kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe grup kriminal.

Domingo Romillo Iriarte – “Pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”

Mihaela Munteanu Manole – “Pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”



Alvaro Romillo Castillo – “Pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”

Doris Pere – “Pastrim parash në bashkëpunim”

Përmes kompanive “Wingwort” sh.p.k., “Wortnova” sh.p.k. dhe “Wortend” sh.p.k., të themeluara në vitin 2024 në Shqipëri, kanë pastruar paratë me origjinë kriminale përmes investimeve në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme. Sipas hetimeve, këto para janë përdorur për blerjen e dy pasurive të paluajtshme në zonën e Dhërmiut, me sipërfaqe totale 23.16 hektarë, kundrejt vlerës 1,621,200 euro, vlerë e cila ka rezultuar se në momentin e shitblerjes ishte më e lartë se vlera e deklaruar në kontratë.

SPAK thotë se bizneset e 4 spanjollëve janë të përfshirë në skema fiktive, ku kanë lidhur kontrata, transferta dhe shkëmbime tregtare me shoqëri të huaja me vendndodhje në Bullgari, Sllovaki, Malajzi dhe vende të tjera offshore.

Ndaj pasurive të të pandehurve është vendosur sekuestro preventive, përkatësisht për dy toka në Dhërmi, 3 kompani, 2 automjete luksoze dhe llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë. Hetimi për këta persona kishte nisur fillimisht në Spanjë, për mashtrim, pastrim parash, lidhur me veprimtaritë ndërkombëtare.

Njoftimi i plotë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.136 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve:

Domingo Romillo Iriarte, i akuzuar për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”,”Kryerje e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 287, 28/4, 333/a/1 dhe 334 të Kodit Penal.
Mihaela Munteanu Manole, e akuzuar për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 287, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.
Alvaro Romillo Castillo, i akuzuar për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 287, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.
Doris Pere, e akuzuar për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të pandehurit kanë krijuar dhe përdorur shoqëritë tregtare “Wingwort” sh.p.k., “Wortnova” sh.p.k. dhe “Wortend” sh.p.k., të regjistruara në Shqipëri gjatë muajit qershor 2024 me kapital minimal, me të njëjtën adresë për të tre shoqëritë, por pa zhvilluar veprimtari reale ekonomike.

Sipas provave të administruara, këto shoqëri janë përdorur si mekanizma për futjen e fondeve me origjinë të dyshuar kriminal, në qarkullimin dhe integrimin në ekonominë formale. Hetimet kanë evidentuar, transaksione bankare dhe tatimore me vlera të konsiderueshme, fatura të dyshuara si fiktive, pagesa pa dokumentacion ekonomik justifikues, si dhe transferta ndërkombëtare me subjekte të huaja, të lidhura me personat e përfshirë në këtë skemë.

Shoqëria “Wortend” sh.p.k. ka realizuar qarkullime financiare në vlera të larta, të cilat nuk përputhen me aktivitetin e deklaruar dhe kapacitetet reale ekonomike të saj. Gjithashtu, janë konstatuar kreditime bankare që tejkalojnë vlerën e faturave të lëshuara, pagesa ndaj shoqërive të huaja pa dokumentacion justifikues, si dhe blerje të pasurive të paluajtshme dhe automjeteve me vlerë të lartë. Një pjesë e fondeve janë përdorur për blerjen e dy pasurive të paluajtshme në zonën e Dhërmiut, me sipërfaqe totale 23.16 hektarë, kundrejt vlerës 1,621,200 euro.

Nga akti i ekspertimit vlerësues ka rezultuar se vlera e tregut e këtyre pasurive në momentin e shitblerjes ishte më e lartë se vlera e deklaruar në kontratë.

Gjatë hetimit është administruar informacion i ardhur përmes bashkëpunimit ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore të Mbretërisë së Spanjës, ku rezulton se disa prej të pandehurve janë subjekt hetimi për vepra penale të mashtrimit.

Nga analiza e provave, ka rezultuar se i pandehuri Domingo Romillo Iriarte ka pasur rolin drejtues dhe organizues në krijimin dhe funksionimin e skemës, duke administruar shoqëritë tregtare, duke orientuar qarkullimin e fondeve dhe vendosur për investimet në pasuri të paluajtshme dhe asete të tjera.

Të pandehurit Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo dyshohet se kanë marr pjesë në këtë strukturë kriminale përmes rolit të tyre formal në shoqëritë, “Wortnova” sh.p.k. dhe “Wortend” sh.p.k., duke kontribuar në krijimin e pamjes së ligjshme të veprimtarisë ekonomike dhe në qarkullimin e fondeve.

Ndërsa e pandehura, Doris Pere dyshohet se ka ndihmuar në funksionimin e skemës duke kryer veprime administrative, bankare dhe organizative në Shqipëri përfshirë sigurimin dhe përdorimin e adresave për shoqëritë tregtare, si dhe kryerjen e pagesave të ndryshme në emër të tyre.

Mbi pasuritë në pronësi të të pandehurve Domingo Romillo Iriate, Alvaro Romillo Castillo dhe Mihaela Munteanu Manote është vendosur masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka çmuar se provat e mbledhura janë të mjaftueshme për dërgimin e çështjes në gjyq në ngarkim të të pandehurve të sipërcituar.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!