Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Vera “afrikane” e urgjencat mjeksore/ Brataj ngre alarmin për vdekjet e të rinjve: S’është zemra, ja ç’ndodh

schedule12:38 - 6 Korrik, 2026

schedule 12:38 - 6 Korrik, 2026

Korriku ka nisur me temperatura tipike verore dhe, sipas meteorologes së IGJEUM, Anira Gjoni, java e dytë e muajit pritet të shënojë një rritje të mëtejshme të temperaturave, duke e bërë këtë periudhë ndër më të nxehtat e vitit. Gjatë ditës së sotme priten reshje të pakta shiu në qarqet Shkodër dhe Kukës, ndërsa reshje lokale të dobëta do të ketë edhe në Dibër, Lezhë, Elbasan, Berat dhe Korçë. Temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 31°C në bregdet, 34°C në zonat e ulëta dhe rreth 27°C në zonat malore.

Pikërisht temperaturat e larta rrisin edhe numrin e rasteve që paraqiten në urgjencë, veçanërisht tek personat me sëmundje kronike. Drejtori i Urgjencës Kombëtare, mjeku Skënder Brataj, apelon për kujdes, por jo panik. Ai thekson se zemra nuk paralajmëron gjithmonë dhe se faktorët e rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare po ndryshojnë.

Sipas Bratajt, prej më shumë se 30 vitesh në sistemin e urgjencës ai ka parë mijëra raste ku vetëm pak minuta kanë bërë diferencën mes jetës dhe vdekjes. Sot vihet re se në urgjencë po paraqiten gjithnjë e më shpesh edhe të rinj me probleme serioze kardiovaskulare. Megjithatë, ai sqaron se nuk mund të thuhet se është rritur numri i infarkteve apo vdekjeve tek të rinjtë pa statistika të plota dhe pa ekspertiza mjeko-ligjore për çdo rast.
Hipertensioni, diabeti, kolesteroli i lartë, mbipesha, duhanpirja dhe mungesa e aktivitetit fizik mbeten faktorët klasikë të rrezikut. Por sot, sipas specialistëve, gjithnjë e më shumë ndikojnë stresi kronik, mungesa e gjumit, ritmi i vrullshëm i jetës dhe përdorimi i substancave narkotike.



Brataj paralajmëron se përdorimi i kokainës rrit ndjeshëm rrezikun për infarkt, madje studimet tregojnë se brenda orës së parë pas konsumimit rreziku mund të jetë deri në 24 herë më i lartë. Kjo substancë shkakton spazma të arterieve koronare, rrit tensionin arterial dhe mund të provokojë çrregullime të ritmit të zemrës, infarkt akut apo edhe vdekje të papritur tek persona të rinj pa histori sëmundjesh kardiake. Edhe amfetaminat dhe metamfetaminat shtojnë rrezikun për aritmi, infarkt dhe insult cerebral.

Një tjetër faktor që nuk duhet nënvlerësuar është stresi kronik. Ai rrit hormonet e stresit, favorizon hipertensionin, inflamacionin dhe çrregullimet e ritmit të zemrës, ndërsa shpesh shoqërohet edhe me zakone të dëmshme si duhanpirja, alkooli, ushqyerja jo e shëndetshme dhe mungesa e gjumit. Vetëm stresi nuk shkakton infarkt, por kur kombinohet me faktorë të tjerë, bëhet shumë i rrezikshëm.

Mjeku apelon që qytetarët të reagojnë menjëherë në rast dhimbjeje gjoksi, humbjeje të ndjenjave apo shenjash që mund të lidhen me infarktin, pasi minutat e para janë vendimtare për të shpëtuar jetën. Po aq i rëndësishëm është edhe shmangia e spekulimeve për shkaqet e vdekjeve të papritura, pasi vetëm ekspertiza mjeko-ligjore mund të përcaktojë shkakun e vërtetë.
Mesazhi përfundimtar është i qartë: zemra nuk ka moshë. Mënyra si jetojmë sot përcakton shëndetin tonë nesër. Larg duhanit dhe drogave, më shumë aktivitet fizik, më pak stres, kontrolle të rregullta mjekësore dhe kujdes ndaj organizmit janë hapat më të rëndësishëm për të mbrojtur jetën.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!