Një aksident automobilistik ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën “Ibrahim Rugova”, rreth dy kilometra larg pikës kufitare të Morinës.
Sipas informacioneve, disa automjete që po lëviznin në drejtim të Shqipërisë janë përplasur, duke lënë të lënduar gjashtë persona. Në mesin e të plagosurve janë edhe një fëmijë dhe një grua shtatzënë.
Të lënduarit janë transportuar për trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit, ndërsa njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë rrethanat që çuan në aksident.
Për shkak të përplasjes, njëra korsi e qarkullimit në drejtim të Shqipërisë është bllokuar përkohësisht, duke shkaktuar kolona të gjata automjetesh. Në rëndimin e situatës ka ndikuar edhe fluksi i shtuar i qarkullimit gjatë kësaj fundjave.



