Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHPQK) ka shprehur shqetësim për situatën e krijuar në sektorin e qumështit, duke theksuar se fermerët po përballen me vështirësi në grumbullimin e qumështit dhe me ulje të çmimit të blerjes.
Në një deklaratë për media, shoqata kërkon që të grumbullohet çdo litër qumësht i prodhuar në Kosovë dhe që çmimi i grumbullimit të rikthehet në nivelin që ishte para zhvillimeve të fundit.
SHPQK vlerëson se fermerët nuk duhet të bartin pasojat e situatës aktuale dhe u bën thirrje fermerëve, industrisë së përpunimit dhe institucioneve që të bashkëpunojnë për tejkalimin e krizës.
“Shoqata vlerëson se fermerët nuk duhet të jenë viktima të kësaj situate dhe bën thirrje për bashkëpunim mes fermerëve, industrisë së përpunimit dhe institucioneve”, thuhet në reagim.
Shoqata gjithashtu ka shprehur mbështetje për inspektimet dhe zbatimin e ligjit nga institucionet përgjegjëse, por kërkon që kontrollet të jenë të vazhdueshme, profesionale dhe të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë operatorët në treg.
Sipas SHPQK-së, vetëm përmes një qasjeje të drejtë dhe bashkëpunuese mund të mbrohen interesat e fermerëve dhe të sigurohet stabiliteti i sektorit të qumështit në Kosovë.



