Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se ditën e premte, më 3 korrik 2026, nga ora 16:00 deri në 17:00, në kuadër të punimeve për ndërtimin e Bypass-it të Sarandës, do të kryhet një shpërthim i kontrolluar pranë fshatit Shën Vasil, në afërsi të guroreve Volloder.
Sipas ARRSH-së, shpërthimi do të realizohet me sasi të vogla eksplozivi dhe është pjesë e punimeve për hapjen e trasesë së rrugës.
Procesi është koordinuar me strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat do të marrin masat e nevojshme për menaxhimin e trafikut dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit gjatë zhvillimit të punimeve.
ARRSH u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të tregojnë mirëkuptim dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve deri në përfundimin e plotë të këtij procesi pune.



