Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar ndaj mbylljes së qumështores “Vita”, duke e cilësuar këtë zhvillim si një goditje serioze për ekonominë e vendit, prodhimin vendor dhe klimën e të bërit biznes.
Kryetari i LBK-së, Besart Dreshaj, deklaroi se “Vita” është një nga prodhuesit më të rëndësishëm në Kosovë dhe se, sipas tij, kompania i plotëson të gjitha standardet dhe posedon certifikatat e nevojshme për operim.
“Mbyllja e Qumështores ‘Vita’ nuk është vetëm çështje e një kompanie, por një goditje e rëndë për ekonominë e Kosovës. Kur një prodhues që i plotëson standardet dhe posedon të gjitha certifikatat përballet me masa të tilla, dëmtohet besimi në institucione dhe në klimën e të bërit biznes”, ka shkruar Dreshaj.
Ai theksoi se pasojat e këtij vendimi nuk prekin vetëm kompaninë, por edhe qindra punëtorë, fermerë dhe furnizues të lidhur me zinxhirin e prodhimit të qumështit.
Sipas Dreshajt, mbyllja e një prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë rrezikon vende pune, dobëson prodhimin vendas dhe krijon hapësirë për rritjen e importeve në vend të mbështetjes së bizneseve vendore.”Këto veprime po e dobësojnë prodhimin vendor, po rrezikojnë humbjen e tregjeve të brendshme dhe të jashtme dhe po krijojnë hapësirë për rritjen e importeve në vend të mbështetjes së prodhuesve tanë”, u shpreh ai.
Kreu i LBK-së shtoi se zhvillime të tilla dërgojnë sinjal negativ edhe për investitorët vendorë dhe të huaj, duke cenuar besimin në mjedisin e biznesit në Kosovë.
Në reagimin e tij, Dreshaj u bëri thirrje institucioneve që të zbatojnë ligjin pa selektivitet dhe të shmangin, sipas tij, vendimet që dëmtojnë prodhuesit vendorë dhe ekonominë e vendit.
Në fund, ai theksoi se Lidhja e Bizneseve të Kosovës do të vazhdojë të mbrojë interesat e prodhuesve vendorë, vendeve të punës dhe zhvillimit ekonomik, duke kërkuar nga institucionet të veprojnë me përgjegjësi dhe në interes të ekonomisë së Kosovës.



