Të paktën 21 persona humbën jetën dhe 85 të tjerë u plagosën, mes tyre dy fëmijë, pas një vale masive sulmesh ruse me dronë dhe raketa ndaj Kievit gjatë natës.
Kryebashkiaku Vitali Klitschko e cilësoi atë si sulmin më të rëndë ndaj kryeqytetit ukrainas që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022.
Sipas forcave ajrore ukrainase, Rusia lëshoi 496 dronë dhe 74 raketa të llojeve të ndryshme kundër Ukrainës.
Mbrojtja ajrore arriti të rrëzojë 476 dronë dhe 48 raketa, por një pjesë e tyre goditi objektivat në Kiev.
Gazetarët raportuan se shpërthimet në kryeqytet zgjatën për disa orë, ndërsa alarmi ajror qëndroi aktiv për më shumë se 11 orë.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë ende mes rrënojave.



