Pas stuhisë së fuqishme që goditi Shkupin, kryetari i qytetit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se Shtabi i Krizave i Qytetit të Shkupit dhe ekipet e ndërmarrjeve publike janë mobilizuar plotësisht për t’iu përgjigjur çdo situate të krijuar nga moti i keq.
Sipas tij, të gjitha shërbimet janë në koordinim të vazhdueshëm me Qendrën për Menaxhimin e Krizave (QMK), Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), EVN-në, Brigadën e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit dhe institucionet e tjera kompetente, me qëllim reagimin e shpejtë në rast të përmbytjeve, dëmtimeve apo incidenteve të tjera.
Gjorgjievski theksoi se të gjitha kapacitetet në dispozicion janë vënë në funksion dhe se ekipet do të qëndrojnë në terren gjatë gjithë natës, duke ndërhyrë aty ku do të paraqitet nevoja.
Ai u bëri gjithashtu thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, të ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me autoritetet kompetente, duke nënvizuar se institucionet janë të përgatitura për t’u përballur me pasojat e stuhisë dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.



