Deputetja e PS, Ilva Gjuzi, deklaroi se fokusi kryesor i mazhorancës mbetet agjenda e integrimit europian, duke theksuar se Shqipëria ka përpara një sërë afatesh dhe detyrimesh që lidhen me përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Europian.
Sipas saj, një aspekt i rëndësishëm është edhe Plani i Rritjes, nga i cili Shqipëria ka përfituar 200 milionë euro. Gjuzi u shpreh se ky fond është një dëshmi e punës që po bën vendi në kuadër të procesit të integrimit.
Duke komentuar protestat, deputetja tha se grupi parlamentar ka ndjekur me vëmendje arsyet pse qytetarët po dalin në protestë, por shtoi se, sipas saj, protesta po përdoret nga persona të caktuar për interesa personale. Ajo pretendoi gjithashtu se ka palë që përfitojnë duke nxjerrë një anë që, sipas saj, nuk përfaqëson Shqipërinë.
“Agjenda e integrimit europian është fokusi ynë për disa arsye. Kemi të bëjmë me disa afate të dakorduara, ku një sërë ligjesh që përshtasin bazën ligjore duhet të përafrohen brenda këtij afati. Është edhe një aspekt i rëndësishëm, agjenda e Planit të Rritjes, që është një mekanizëm i rëndësishëm. Shqipëria ka përfituar 200 milionë euro nga Plani i Rritjes. Ky fond është një dëshmi për punën që Shqipëria po bën. Që nga dita 1, grupi parlamentar ka pasur një sy pse njerëzit po dalin të protestojnë. Protesta po përdoret nga persona të caktuar për interesa personale, ka edhe palë që u vjen mirë dhe përfitojnë duke nxjerrë një anë që nuk është pjesë e Shqipërisë. Fokusi kryesor i grupit është përmbushja e detyrimeve. Rama e ka një këshillë të kahershme angazhimin në rrjetet sociale, nuk ka të bëjë me protestën, por që në krye të herës e la si porosi se rrjetet sociale janë një fushë e re e betejës edhe të politikës.”



