Në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë u mbajt një seancë përkujtimore për 82-vjetorin e gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë.
Një minutë heshtje në kujtim të jetëve të humbura.
Rrëfimet e dëshmitarëve të masakrave u përcollën përmes dokumentarit “Nuk të harroj, Çamëri”.
Kryetari i Shoqatës “Çamëria” apeloi që çështja çame të trajtohet me seriozitetin që i takon.
“Nuk kërkojmë privilegje dhe aq më pak mëshirë, por që çështja çame të trajtohet me seriozitetin, përgjegjësinë dhe vërtetësinë që i takon; të mos mbetet peng i heshtjes, i harresës apo i interesave të çastit, por të zërë vendin që meriton në ndërgjegjen kombëtare dhe në angazhimin institucional të shtetit tonë, siç është rasti i Parlamentit.” tha ai.
Aktiviteti, ku morën pjesë deputetë, studiues dhe përfaqësues të komunitetit çam, synon të nderojë kujtimin e viktimave të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, si dhe të sjellë në vëmendje rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike, të drejtave të njeriut dhe vlerave të drejtësisë./abcnews.al



