Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Ish-oficerja e BKH, e pandehur në gjyq/ SPAK: Erjona Daupaj ndërhyri në gjykatë për të pandehurit e “Toyota Yaris”

schedule18:55 - 25 Qershor, 2026

schedule 18:55 - 25 Qershor, 2026

Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK dhe kaloi për gjykim dosjen penale në ngarkim të Astrit Vladit dhe Erjona Daupaj, ish-oficere e Byrosë Kombëtare të Hetimit, strukturë në varësi të Prokurorisë së Posaçme.

Daupaj, një oficere me peshë në SPAK dhe BKH, dy institucione të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, duke shkelur ligjin, dyshohet se në bashkëpunim me të tjerë favorizoi të pandehurit e dosjes Toyota Yaris, duke ndërhyrë te magjistratët që kishin në dorë çështjen e tyre.

Pas vendimit për kalimin e dosjes për gjykim, të pandehurit Astrit Vladi dhe Erjona Daupaj do të gjykohen në mungesë, pasi masa e sigurisë “arrest në burg”, lëshuar ndaj tyre në korrik të vitit 2024, nuk është ekzekutuar ende.



Vladi dhe Daupaj u hetuan më vete në një procedim të ndarë nga i mëparshmi, ndërsa hetimet për dosjen Toyota Yaris treguan se ata ndërhynë për të lehtësuar pozitat ligjore të shtetasve Elvis dhe Alfred Vladi dhe Alban Mollaymeri, në bashkëpunim me ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, i cili u lirua nga qelia me vendim të Apelit të Posaçëm, si dhe me avokatin Radovan Çela.

Hetimi nga SPAK nisi pas komunikimeve në Sky ECC, të cilat u zbardhën nga autoritetet e huaja dhe iu vendosën në dispozicion Prokurorisë së Posaçme.

Referuar këtyre të dhënave, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në disa raste kanë ofruar, pranuar dhe premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë.

Vladi do të gjykohet për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm”, e kryer në bashkëpunim, e kryer katër herë, dhe “Korrupsioni aktiv”, e kryer në bashkëpunim, ndërsa Daupaj për “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”, e kryer katër herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, “Korrupsioni pasiv”, e kryer dy herë.

Hetimi për dosjen e njohur si Toyota Yaris u regjistrua pas bllokimit në Portin e Durrësit, në qershor të vitit 2018, të 3.4 milionë eurove të fshehura në dy makina të importuara nga Belgjika. Trafiku i parave përmes makinave të përdorura ishte pjesë e një skeme të pastrimit të parave.

Astrit Vladi, për të cilin GJKKO vendosi të kalonte çështjen për gjykim, u ekspozua edhe në dosjen e fundit të Prokurorisë së Posaçme, ku u godit grupi kriminal i vëllezërve Koçeku që trafikonte kokainë, pjesë e të cilit ishte edhe Ilir Shtufi, si dhe disa biznesmenë të tjerë.

Dosja Toyota Yaris po hetohet nga kreu i SPAK, Klodian Braho, ndërsa kjo çështje është ndarë në disa fraksione. Po verifikohen dhe po hetohen edhe disa magjistratë, të cilët dyshohet se, në shkelje të ligjit, kanë favorizuar persona të ndryshëm që kanë pasur probleme me drejtësinë në këmbim të parave.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!