Dikur në krah të ish presidentit te Iranit, Mahmud Ahmadinexhadit, sot në protestë në bulevard kundër qeverisë së Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama ka denoncuar një tjetër eksponent të regjimit të Ajatollahëve të Republikës Isalmike të Iranit, Ikballe Huduti e cila prej vitesh nuk e fsheh me zë dhe figurë rreshtimin pro Iranit dhe kundër SHBA dhe Izraelit.
“Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, shkruan Rama.
Rama edhe njëherë thotë se janë këta eksponentë të kamufluar si besimtarë, të paguar nga shtete të huaja armiqësore si Irani të cilët kanë marrë drejtimin e protestës.
“Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë”, vijon më tej Rama.
Statusi i kryeministrit Edi Rama në Facebook:
Mos u merr me protestuesit…
Jo, asnjëherë me protestuesit, po me përfituesit patjetër
Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë, e kthyen protestën e nisur për natyrën në një ujdhesë zvarranikësh që lëvrijnë mes të rejave e të rinjve të mbetur, duke i lëpirë e pickuar njëkohësisht dhe duke shpërndarë në çdo drejtim helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë.



