Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Na kthyen 7 herë në skenë…!” Ja kënga që u mësuar për 24 orë në Kosovë. Rrëfimi i Naser Gjinovcit për grupin legjendar “Minatori”

schedule12:57 - 24 Qershor, 2026

schedule 12:57 - 24 Qershor, 2026

Grupi “Minatori” nuk është thjesht një bandë muzikore. Për shumë shqiptarë, ai është simbol i një brezi që guxoi të këndonte ndryshe, në një kohë kur liria e fjalës kishte kufij. I ftuar në një lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, solisti Naser Gjinovci rrëfen historinë e krijimit të grupit, këngët që u kthyen në himne dhe betejën me censurën.
I themeluar në Kosovë në vitet ’80, “Minatori” u bë një nga grupet më të dashura të muzikës rok shqiptare. Me mbi 2 mijë koncerte dhe mijëra dalje publike, grupi arriti të fitojë zemrat e publikut falë këngëve me mesazhe sociale, politike dhe frymë rebele.

“Na mbajti të bashkuar suksesi. Ishim një grup që publiku na donte”, shprehet Gjinovci, duke kujtuar se nga formacioni i dikurshëm sot kanë mbetur vetëm tre anëtarë. Megjithatë, lidhja mes tyre nuk është zbehur. “Më parë na bashkonte muzika, sot jemi miq të shtëpisë dhe të çarshisë.”
Ai tregon se shumë prej teksteve të tyre u censuruan nga regjimi i kohës. “Rroku ishte kundër komunizmit. Këngët tona ishin një zë për politikën dhe realitetin e vendit, prandaj disa tekste konsideroheshin revoltë.”

Një nga historitë më interesante lidhet me këngën ikonë “Mihane”, e cila u bë hit ende pa u transmetuar në radio. “E këndonim në koncerte para se ta incizonim. Kur e regjistruam, ishte bërë hit menjëherë. Na bëri të njohur kudo.”
Edhe kënga “Mori molla me sherbet” u shoqërua me polemika dhe u cilësua nga disa si tekst “pornografik”, një vlerësim që Gjinovci ia atribuon mentalitetit të kohës. “Ne thyem tabu dhe hapëm rrugën për shumë artistë të rinj.”



Për këngëtarët që kanë rikënduar repertorin e “Minatorit”, ai shprehet me respekt. “Disa më kanë pyetur, disa jo, por origjinalja mbetet origjinale.”
Ndërsa “Të dua sa Kosovën” vazhdon të këndohet edhe sot si një himn për brezat, Naser Gjinovci pranon se nuk do të donte të kthehej pas në kohë. Megjithatë, gjithçka që ka përjetuar me “Minatorin” mbetet krenaria më e madhe e jetës së tij. Një rrëfim për muzikën, lirinë, miqësinë dhe këngët që sfiduan kohën, por që vazhdojnë të jetojnë në zemrat e shqiptarëve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!