Ish-drejtori ekzekutiv i Peter Murrell dhe ish-bashkëshorti i ish -Kryeministres Skoceze Nicola Sturgeon, është dënuar me 5 vjet e 3 muaj burg, pasi u deklarua fajtor për përvetësimin e më shumë se 400 mijë paundëve nga fondet e Partisë Kombëtare Skoceze (SNP).
Murrell, 61 vjeç, pranoi muajin e kaluar se kishte përvetësuar 400,310 paundë midis viteve 2010 dhe 2023, duke përdorur fondet e partisë për blerje personale, përfshirë automjete, artikuj luksi nga marka të njohura si Estée Lauder dhe Harrods.
Ai shërbeu si drejtor i përgjithshëm i SNP-së deri në mars të vitit 2023. Arrestimi i tij erdhi një muaj më vonë, ndërsa në vitin 2024 u përball zyrtarisht me akuzat pas një hetimi të gjatë policor mbi financat e partisë.
Hetimi nisi pas dorëheqjes së papritur të Nicola Sturgeon nga posti i kryeministres së Skocisë në shkurt 2023. Edhe Sturgeon u arrestua dhe u mor në pyetje në qershor të atij viti, por më pas u shpall e pafajshme dhe nuk u përball me akuza penale.
Gjatë shpalljes së vendimit në gjykatë, gjyqtari Andrew Young e cilësoi rastin si “një krim të llogaritur pandershmërie” dhe theksoi se Murrell kishte tradhtuar besimin e organizatës që drejtonte, si dhe të anëtarëve dhe donatorëve të saj.
“Veprimet tuaja përfshinin një shkelje të konsiderueshme të besimit në organizatën që ju drejtuat dhe në anëtarët e saj. Dënimi duhet të shërbejë gjithashtu si paralajmërim për çdo zyrtar të lartë që mund të abuzojë me pozicionin e tij”, deklaroi gjyqtari gjatë seancës.
/abcnews.al/



