Presidenca irlandeze e BE-së, që nis punën më 1 korrik, nuk ka pranuar ndryshime në rregullat aktuale për zgjerimin me shtetet kandidate. Kryeministri irlandez Micheal Martin i tha Financial Times se, në mungesë të konsensusit mes 27 shteteve aktuale anëtare, BE duhet të ecë përpara me politikat ekzistuese të pranimit të shteteve të reja dhe të mos shpërqendrohet me debate që kërkojnë kohë.
“BE-ja duhet që të përqendrohet në procesin ekzistues të zgjerimit të bazuar në meritë, ku shtetet kandidate ecin përpara drejt anëtarësimit kur përmbushin kriteret e pranimit. Nuk duhet që të shpërqendrohet nga debatet politike mbi atë se si duhet të duket një anëtarësim i ardhshëm i Ukrainës. Besoj se BE-ja mund të arrijë deri në fund të vitit një marrëveshje mbi politikën e saj të investimeve, ndaj nuk ka shumë kuptim për shumë diskutime politike tani”.
Martin tha se nuk dëshironte një diskutim politik mbi të ardhmen e procesit të zgjerimit “për të mos penguar rrugëtimin e Malit të Zi, i cili sipas tij po ecën me ritëm të shpejtë dhe në një mënyrë të strukturuar”.
“Ky është realiteti konkret për momentin. Është ajo që ofrojnë traktatet aktuale të BE-së. Paralelisht me këtë, do të kemi diskutim mbi asociacionin e shteteve kandidate, por në shkallë të ndryshme, pasi nuk ka unanimitet apo konsensus për këtë çështje. Pra, duhet të merremi me botën reale”.
Financial Times zbulon se udhëheqësit e BE-së, në samitin e javës së kaluar, kanë hequr frazën “sa më shpejt të jetë e mundur” nga një deklaratë e përbashkët për zgjerimin. Kohët e fundit, Berlini ka propozuar disa ide për të rishikuar procesin, në një përpjekje për të rritur ambiciet për anëtarësimin e Ukrainës dhe shteteve ballkanike, duke ringjallur një debat të bllokuar prej kohësh mbi reformën e zgjerimit.



