Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi se Paketa e Maleve është një nismë transparente, në të cilën janë të përfshirë edhe këshillat bashkiakë.
Demo theksoi se procesi po vijon në disa bashki të vendit dhe se tashmë janë miratuar aplikimet e para. Ai përmendi Bashkinë Shkodër, Vau i Dejës dhe Shijakun si bashkitë që kanë përfunduar miratimin e aplikimeve të para.
Duke folur për ecurinë e procesit, ministri bëri të ditur se numri i aplikimeve në të gjithë Shqipërinë ka kaluar shifrën 2 mijë. Ai shtoi se janë vendosur filtra të shumtë në nivel vendor për shqyrtimin e aplikimeve, ndërsa pritet që numri i tyre të vijojë të rritet.
“Paketa e Maleve është një nismë transparente, janë këshillat bashkiakë të përfshirë. Kjo paketë garanton të drejtën e pronës së kujtdo që ka pronën e regjistruar dhe në cilindo moment të ketë, si dhe mekanizmat për të parandaluar keqpërdorimet. Procesi vazhdon dhe ka bashki që kanë një numër të caktuar aplikimesh sot. Bashkitë që kanë miratuar aplikimet e para janë Bashkia Shkodër, Vau i Dejës dhe Shijaku, të cilat kanë përfunduar miratimin e aplikimeve të para.
Duhet t’i referohemi fakteve. Ligji është shumë i saktë për rastet kur një individ mund të aplikojë kur ka një pronë dhe e ka përdorur për më shumë se 10 vjet, ose kur një individ e tregon me fakte raportin që ka me pronën. Nëse gjatë afatit 45-ditor nuk ka kontestime nga komuniteti apo banorët, procesi vijon me miratimin në këshillin bashkiak.
Vetë kjo nismë lidhet me investimin që individi ka dhe prona bëhet e tij pasi mbaron investimi. Ka edhe keqpërdorime për arsye të ndryshme. Kjo është një paketë që duhet vlerësuar nga qytetari. Kjo është arsyeja që ne duhet të dëgjojmë, sepse në Tiranë krijohen aludime për ndonjë kredit politik, por do të jenë vetë qytetarët dhe rastet e suksesit që ndryshojnë realitetin në territor.
Sot në Shqipëri numri i aplikimeve i kalon 2000. Ka filtra të tërë që janë përcaktuar në nivel vendor, por numri i tyre pritet të kalojë.” / abcnews.al /



