Duhej të vinte edhe kjo ditë. Ndoshta, presidentit të UEFA-s, Aleksandër Çeferin, nuk i pëlqen edhe aq ky Botëror me 48 skuadra, ku duket sikur nuk ka mbetur kush pa hyrë, por gjithsesi kur një ekipi liliput si Kurasao merr pikën e parë, padyshim që është historike.
Skuadra kombëtare e një ishulli me sipërfaqe vetëm 445 kilometra katror dhe me popullsi vetëm 155 000 banorë, pra sa dy lagje të Tiranës, arriti të ndalte Ekuadorin në barazim 0-0.
E qartë që ekuadorianët nuk janë as Brazili, as Argjentina, as Uruguaj, madje as Kolumbia, por gjithsesi kanë qenë 5 herë në fazat finale të botërorëve, duke luajtur 23 ndeshje e duke pasur një bilanc të ekuilibruar.
Asgjë nuk u bëri punë këtë herë, edhe pse patën epërsi dërrmuese ndaj Kurasaos.
Portieri i ishullit, Ilon Rum, ishte më i miri në fushë me 15 pritje, ndërsa “liliputët” provuan edhe të rrezikonin e të merrnin fitoren.
Barazimi madje i jep ende shpresë skuadrës nga ishulli që të synojë kualifikimin, edhe pse ndeshja e fundit ndaj Bregut të Fildishtë nuk duket nga ato që mund të fitohet.



