Në sekondat e fundit kanë fituar edhe tituj. Gjermania njihet si skuadra që luante deri sa vërshëllente arbitri, dhe kështu fitoi Europianin në 1980 apo 1996, kështu arriti kohën shtesë ndaj Anglisë në finalen botërore në 1966, dhe detyroi Çekosllovakinë tek penalltitë në Europianin 1976.
Ka edhe shumë raste të tjera e duket se kjo lloj Gjermanie po kthehet.
Edhe pse më shumë brune sesa ka qenë dikur bionde, sërish skuadra më e madhe e futbollit në Europë, dhe njëra nga më të mëdhatë në planet, ia doli të merrte tri pikët në një sfidë tepër delikate e të vështirë si ajo ndaj Bregut të Fildishtë.
Ishte ndeshja e dytë e grupit E, që u fitua 2-1 në Toronto, dhe vlera është e madhe edhe pse gjermanët u ndoqën vetëm nga 43 000 spektatorë.
Diçka më pak se kapaciteti prej 45 000 vendesh. Kesi shënoi për afrikanët kundër rrjedhës së lojës në 30’, ndërsa “teutonëve” iu anuluan dy rrjeta realizuar nga Pavlovic dhe Haverc në pjesën e parë.
Gjermania e trajnerit Julian Nagelsman pati epërsi me gati 60 për qind mbajtje topi dhe plot 16 gjuajtje ndaj 9 të rivalit, si dhe 7 në kuadrat përkundër dy.
Gjithsesi, u desh të njeriu I stolit të hidhte në fushë sulmuesin Undav dhe mesfushorin Amiri që të ndodhte përmbysja.
Ylli I Shtutgartit shënoi dy herë, me asistin e parë nga Amiri në 68’, dhe falë topit nga Nmeça në minutën e katërt shtesë.
Tekniku I “pancerëve” u kritikua gjithsesi nga tifozët në rrjetet sociale dhe mediat, ndërsa kërkohet që lojtarë si Sane apo Haverc të mos jenë titullarë.
Heroi I popullit është pikërisht Undav, I cili kërkohet në formacion. Një Gjermani e ndryshme, me 10 lojtarë me prejardhje emigrantësh nga 16 gjithsej në fushë, tani jep më shumë shpresë .
Jo më kot u kualifikua për në raundin e dytë pasi mori 6 pikë në dy ndeshje e shënoi 9 gola.



