Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Protesta po ushqehet nga interesa të tjera”, Rama-protestuesve: Verifikoni faktet, po bëjnë një betejë që nuk është e tyre

schedule12:21 - 21 Qershor, 2026

schedule 12:21 - 21 Qershor, 2026

Kryeministri Edi Rama ka argumentuar se protestat që lidhen me projektin në zonën e Zvërnecit janë një kauzë fisnike, por  kjo nuk nuk duhet të mbështetet mbi dezinformim duke mbrojtur interesat e dikujt tjetër.

Në podkastin “Flasim”, Rama përdori historinë e personazhit Fabrice del Dongo nga romani i Stendal, për të ilustruar, sipas tij, rrezikun e idealizmit të bazuar mbi iluzione dhe jo mbi fakte.

“Njeriu mendon se po mbron flamingot, se po mbron Zvërnecin, se po mbron Shqipërinë, ndërkohë që po mbron interesat e dikujt tjetër, për të cilin interesat e Shqipërisë nuk kanë asnjë vlerë. Njeriu mendon se po lufton për diçka shumë fisnike, ndërkohë që është bërë një ushtar në një betejë që faktikisht nuk është më e tija.



Ashtu si Fabrice del Dongo, ai hyn në fushën e betejës i tërhequr nga magneti i një ëndrre fisnike dhe dalëngadalë rrezikon të zbulojë shumë vonë se beteja ku u përfshi nuk ishte ajo që kishte besuar dhe mësimi i Fabrice del Dongos nuk është të heqësh dorë nga ëndrrat, nuk është të heqësh dorë nga dëshira fisnike që të jesh një ushtar i natyrës, që të jesh një vullnetar në mbrojtje të biodiversitetit, që të jesh një zë, një aktivist në kërkim të një harmonie sa më perfekte mes natyrës dhe zhvillimit”, pohoi kryeministri.

Sipas kryeministrit të gjitha kundërshtimet dhe betejat kundër presidentit të Amerikës janë zhvendosur në Nartë

“Flamingot nuk kanë nevojë për turma të rrëmbyera nga histeria e algoritmit dhe të nxitura nga interesa të tjera që nuk janë fare interesat tona, nuk janë fare interesat e Shqipërisë, në një betejë të globalizuar, jo se bota papritur u zgjua e alarmuar për fatin e flamingove, por se bota spostoi në Nartë një betejë të madhe kundër Presidentit të Amerikës për arsye që nuk kanë të bëjnë fare me Nartën dhe gjithë kjo urrejtje dhe ky mllef, dhe ky zemërim që ka natyrë politike, ideologjike, çfarë të doni, arsye që s’na interesojnë, krijoi kushtet që të hapej edhe një kanal, një revolucion imagjinar për ata që menduan gabimisht se u bë deti kos për lugën e ndryshkur të karrierave të tyre politike apo për partiçkat e tyre të reja, që u bënë shumë shpejt të vjetra, të vogla, që duan të rriten duke hedhur gurë, duke fshehur duart, duke nxjerrë një dorë, duke mbuluar një dorë tjetër”,  tha Rama.

Projekti turistik në Zvërnec do të zhvillohet duke respektuar të gjitha standardet theksoi kreu i qeverisë.

“Unë jam këtu, ne jemi këtu për të bërë së bashku më të mirën për Shqipërinë, për natyrën, për Zvërnecin, për flamingot, por ama për të bashkëpunuar me realitetin, jo jashtë realitetit. Për të ndarë së bashku faktet dhe jo për të fluturuar në një territor ku faktet nuk kanë asnjë vlerë. Dhe mbi të gjitha për të diskutuar për një projekt, i cili ende nuk është gati dhe për t’u marrë me mënyrën se si projekti mund të bëhet sa më i shkëlqyer dhe jo për ta rrëzuar, ndërkohë që ai është në lindje e sipër”, u shpreh Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!