Në Itali, djathi Parmixhano nuk është vetëm një simbol i gastronomisë, por edhe një aset financiar që përdoret si garanci për kredi bankare, duke e kthyer një produkt ushqimor në instrument ekonomik me vlerë të lartë.
Banka italiane Credem ka zhvilluar prej dekadash një praktikë unike në botë, duke pranuar kokat e djathit Parmigiano Reggiano si kolateral për financimin e prodhuesve. Kjo qasje u mundëson fermerëve dhe prodhuesve të marrin kredi gjatë periudhës së gjatë të maturimit të djathit, i cili mund të zgjasë nga 12 deri në 48 muaj.
Parmixhano Reggiano, një nga produktet më të njohura të Italisë, prodhohet sipas rregullave strikte të origjinës dhe cilësisë në rajonin e Emilia-Romagna-s dhe disa zona përreth. Çdo kokë djathi është e certifikuar dhe e gjurmueshme, gjë që e bën të mundur vlerësimin e saktë të tij si aset financiar.
Sipas të dhënave të industrisë, sektori i Parmigiano Reggiano gjeneron mbi 3 miliardë euro xhiro vjetore, duke e bërë atë një nga produktet më të qëndrueshme të ekonomisë agro-ushqimore italiane.
Sistemi i Credem bazohet në një rrjet magazinash të posaçme, ku mijëra kokë djathi ruhen në kushte të kontrolluara temperature dhe lagështie, duke funksionuar si një lloj “kasaforte ushqimore”. Në këto depo mund të ruhen deri në qindra mijëra njësi, me një vlerë totale që në disa raste ka arritur në qindra miliona euro.
Në rast se kredia nuk shlyhet, banka ka të drejtë të shesë djathin e lënë si garanci për të rikuperuar vlerën e financimit. Ndërkohë, pas shlyerjes së kredisë, prodhuesit e rimarrin sërish produktin për ta hedhur në treg.
Rasti i Credem është studiuar edhe nga akademikë të Harvard Business School, të cilët e kanë cilësuar si një shembull të suksesshëm të përshtatjes së financimit bankar me ciklet reale të prodhimit bujqësor.
Ky model unik tregon se si një produkt tradicional si Parmigiano Reggiano mund të shndërrohet në një instrument modern financiar, duke lidhur traditën gastronomike italiane me ekonominë globale.



