Trupi i pajetë i një burri është gjetur në pjesën e poshtme të një avioni të kompanisë “Air Arabia”, i cili ishte ulur në aeroportin Gatwick të Londrës pas një fluturimi nga Maroku.
Sipas raportimeve të BBC, shërbimet e emergjencës u thirrën pas zbulimit të trupit në avionin që kishte mbërritur nga qyteti i Tanxherit rreth orës 11:45 të paradites të martën.
Një zëdhënës i aeroportit në West Sussex konfirmoi incidentin, duke bërë të ditur se ekipet e aeroportit po bashkëpunojnë me policinë dhe mjekun ligjor për hetimin e rastit.
Autoritetet britanike kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura detaje mbi identitetin e viktimës apo mënyrën se si personi ka përfunduar në atë pjesë të avionit.



