Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Zbulohet mashtrimi: PE asnjë fjalë për Zvërnecin/ Amendamenti në rezolutë i referohej zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë

schedule18:13 - 18 Qershor, 2026

schedule 18:13 - 18 Qershor, 2026

ABC News ka siguruar rezolutën e plotë të PE, miratuar me shumicën e 483 votave, bashkë me amendamentet për çështjet mjedisore në Shqipëri.

Amendamenti shumë i diskutuar, që në Shqipëri është interpretuar si goditje ndaj investimit në Zvërnec dhe Sazan, në fakt i referohet një tjetër zone, Vjosë-Nartë, e cila është zonë e mbrojtur dhe jo peizazh i mbrojtur i kategorisë 5.

“Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë tregojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve legjislative dhe rreziqet që vijnë si pasojë e tyre për zonat me vlerë të njohur ekologjike; ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim”, thuhet në reagimin e PE.



Ky amendament u propozua nga Të Gjelbrit evropianë. Në fakt, debati për Vjosë-Nartën ka lindur vite më parë për shkak të ndërhyrjeve të paligjshme në atë zonë dhe me vendim të qeverisë Rama rreth 4 vite më parë, me synim kryesor për të mbrojtur lumin e fundit të egër të Evropës, Vjosën, nga projektet për ndërtimin e hidrocentraleve.

Kurse Zvërneci është peizazh i mbrojtur i kategorisë 5, për të cilin rezoluta e PE nuk flet në asnjë rresht.

Vetëm për Zvërnecin ka qenë një amendament nr. 4 , i partive evropiane Left Group të së majtës ekstreme, që propozuan këtë paragraf për denoncimin e investimit të dhëndrit të presidentit Trump, Jared Kushner, në Zvërnec dhe Sazan. Një amendament që u rrëzua me votë nga mbi 400 eurodeputetë të Parlamentit Evropian.

Nga ana tjetër, Parlamenti Evropian shpreh shqetësime për zgjatjen në kohë të ligjit të investimeve strategjike sipas amendamentit 47, kurse kërkon shfuqizimin e disa amendamenteve të papërshtatshme që u futën në ndryshimet e ligjit për zonat e mbrojtura në vitin 2024 nga Parlamenti i Shqipërisë. Deri në shfuqizimin e disa prej atyre ndryshimeve të papajtueshme, u kërkohet autoriteteve shqiptare të vendoset një moratorium për lejet e reja të ndërtimit brenda zonave të mbrojtura.

Por, me t’u korrigjuar ligji për zonat e mbrojtura, PE thekson se nuk është kundër projekteve apo investimeve, vetëm se Shqipëria duhet të sigurohet se ato po realizohen në përputhje të plotë me standardet e BE-së.

“Kur të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; nënvizon se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis në përputhje të plotë me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile”, thuhet në reagim.

Megjithatë, në rezolutën e Parlamentit Evropian nuk përmenden në asnjë moment as Zvërneci, as Sazani dhe as Kushneri, por vetëm zonat e mbrojtura si Vjosë-Narta.

Referuar vetëm zonave të mbrojtura, Parlamenti Evropian i kujton Shqipërisë se respektimi i rregullave mjedisore sipas legjislacionit evropian është parakusht për anëtarësimin në BE.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!