Policia ka gjetur 55 mijë euro gjatë kontrolleve në banesa dhe mjediset ku operonin personat e arrestuar një ditë më parë në Tiranë, të dyshuar për mashtrim përmes call center. Hetuesit dyshojnë se këto para janë produkt i këtij aktiviteti të paligjshëm.
Policia thotë se ushtroi kontrolle në 7 banesa të të arrestuarve, por edhe në ambientet e punës në një ndërtesë pranë Kopshtit Botanik në Tiranë.
Për zbardhjen e skemës, por edhe të personave të tjerë të përfshirë, policia sekuestroi edhe disa mjete kompjuterike e pajisje të tjera që përdornin kryesisht për mashtrimin kompjuterik.
Sipas burimeve, 7 të arrestuarit janë shtetas shqiptarë, paraguajanë dhe angolezë, ndërsa 27 agjentët që kryenin telefonatat e mashtrimit te qytetarët po procedohen në gjendje të lirë. Mes tyre janë edhe 3 të huaj.
Nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas janë përfshirë në kryerjen e veprimtarive të kundërligjshme që lidhen me veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”./abcnews.al



