Një aventurë e pazakontë në majën më të lartë të Shqipërisë është kthyer në një nga historitë më të komentuara të ditëve të fundit. Sipërmarrësi dhe pasionanti i natyrës, Izet Shulku, i njohur nga shumë si “Tarzani i Dibrës”, ka ndarë pamje të rralla nga Mali i Korabit, ku është përballur nga afër me arinjtë e egër në habitatin e tyre natyror.
Gjatë ngjitjes së tij në Korab, në një lartësi prej 2764 metrash, Shulku tregon se ka hasur jo një, por tre arinj në një distancë shumë të afërt nga njëri-tjetri. “Tre arinj më dolën përballë. Njëra prej tyre ishte me këlyshin e saj dhe ndodhej pas shpinës sime. Ishte një moment që nuk e përjeton shpesh në jetë”, rrëfen ai. Megjithëse situata mund të dukej e rrezikshme, Shulku thotë se nuk ndjeu frikë.
“Unë e dua natyrën dhe kafshët. Nuk mendova për asnjë moment panikun. Besoj se edhe ato e ndjejnë kur njeriu nuk ka qëllim t’u bëjë keq”, shprehet ai.
Për aventurierin dibran, kjo nuk ishte hera e parë që ngjitej në Korab, por ishte hera e parë që i afrohej kaq shumë arinjve të egër. Takimi e ka bërë edhe më të fortë mesazhin e tij për mbrojtjen e faunës shqiptare.
“Kushdo që i sheh këto kafshë duhet t’i mbrojë. Janë pjesë e pasurisë sonë natyrore dhe po shkojnë drejt zhdukjes”, apelon Shulku. Por aventura nuk përfundon këtu. Edhe pse jemi në prag të verës, në lartësitë e Korabit ende gjenden masa dëbore që në disa zona arrijnë mbi tre metra trashësi. Besnik i ritualit të tij, ai nuk ka hezituar të zhytet në ujërat e akullta malore, një sfidë që e përsërit sa herë viziton këtë zonë.
Sipas tij, Korabi mbetet një nga thesaret më të bukura natyrore të Shqipërisë, me bimësi të rrallë, burime të kristalta dhe ujëvara mahnitëse që të lënë pa frymë.



