Eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Endri Tafani, ka deklaruar se ka përparime konkrete drejt arritjes së paqes, bazuar në mënyrën se si kanë rrjedhur ngjarjet deri më tani.
Sipas Tafanit, është arritur një marrëveshje e përgjithshme në formën e një memorandumi mirëkuptimi, ku palët marrin përsipër disa angazhime që pritet të detajohen më tej.
Sipas ekspertit, programi bërthamor mbetet vija e kuqe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe, në këtë pikë, SHBA-ja ka arritur atë që ka kërkuar.
“Ka përparime konkrete në arritjen e paqes për gjithë mënyrën si kanë rrjedhur ngjarjet. Ka një marrëveshje të përgjithshme, memorandum miratimi, ku palët marrin përsipër disa angazhime që do të detajohen më tej. Arma bërthamore ka qenë e vetmja vijë e kuqe. Për kalimin në Ngushticën e Hormuzit, Trump ka vijuar më tej duke thënë ta përdorin ata dhe Omani. Vijë e kuqe për SHBA-në është programi bërthamor dhe në atë pikë kanë marrë atë që kanë dashur.”
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, vlerëson se Shtetet e Bashkuara synojnë të dalin fitimtare nga konflikti, por sipas tij, shpallja si fitore e hapjes së Ngushticës së Hormuzit nuk qëndron.
Sipas Krisafit, ajo që pritet të ndodhë është një kufizim i programit bërthamor iranian, ndërsa rimëkëmbja e tij do të kërkojë disa vite.
“Amerikanët duan të dalin si fitimtarë nga kjo luftë. Të shpallësh si fitore hapjen e Hormuzit nuk mund të jetë fitore, sepse Hormuzi i hapur ka qenë. Nëse shohim këtë marrëveshje mirëkuptimi, mendoj se Trump nuk ka arritur objektivin kryesor. Duket se do të ketë një kufizim të programit bërthamor dhe do të duhen disa vite që të rimëkëmbet programi bërthamor. Fitorja për Iranin është që ka arritur të mbijetojë.”



