Nga parlamenti në bulevard. Enigma nuk zgjati as 24 orë. Marjana Koçeku nuk ndryshoi ngjyrë, mbeti rozë, por ndërroi kurs, nga deputete e PS në protestuese për flamingot.
Të dielën, ajo njoftoi nëpërmjet rrjeteve sociale largimin nga grupi parlamentar i PS dhe daljen si deputete e pavarur.
“Prej sot jam deputete e pamvarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojne kufijtë.”
Megjithatë, këtë të hënë Marjana Koçeku refuzoi të shkojë në mbledhjen e grupit parlamentar të PS duke lënë të surprizuar edhe kolegët e saj socialistë, të cilët tentuan disa herë të telefonojnë. Mesa duket telefoni i saj rezulton aktiv vetëm për reagime në rrjete sociale.
Madje kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla nuk pranoi të prnoncohej, pasi nuk ka komunikuar dot me Koçekun mbi vendimin e saj, dhe do të flasë në një moment të dytë.
Por kush është Marjana Koçeku?
Deputetja më e re e parlamentit, 26-vjeçarja Marjana Koçeku, njohur si “Neomalësorja”, papritur shfaqi rebelizmin e saj ndaj forcës politike që i dha mandatin në parlament, si kryesuese e listës së sigurt në Shkodër më 11 maj 2025.
Ajo u pikas nga PS, si një prurje e veçantë për shkak se si e re e diplomuar në Europë, kishte vendosur të punonte e jetonte në Koman, në bujtinën e familjes së saj, ndërsa gjatë fushatës tregonte jetën në fshat duke mjelë dhi, mbledhur perime dhe bërë xhiro me kajak në liqen.
Ditën e parë në parlament e nisi me një foto, ajo si deputetja më e re dhe Sali Berisha si deputeti më i vjetër, dhe një lutje ndaj Zotit, që të mos linte emrin e skalitur për keq në historinë e Shqipërisë.
Në aktivitetin e saj 10-mujor në parlament, fjalimet e saj janë të pakta dhe të vakëta.
Si përfaqësuese e malësorëve, ajo nuk ka folur asnjëherë as për Thethin, as për Rrjollin.
Kurse rebelizmi i vetëm që ka treguar, është ai ndaj gjuhës shqipe. Refuzimi për të folur zyrtarisht, por vetëm gegërisht.
Megjithatë, duket se ‘Neomalësorja’ e humbi shansin të hyjë në histori. Marjana Koçeku njoftoi largimin nga PS në momentin kur pjesëmarrja në protestën në bulevard se vjen dhe tkurret.
Një mandat si e pavarur dhe e paprovuar me votë direkte nga qytetarët nuk e ndihmon dot mbushjen e Bulevardit. Mbetet vetëm një flamingo më shumë.
Kurse për PS ky është një tjetër mësim. Tani i mbeten 82 deputetë, por mandati i ikur i eksperimentit “Neomalësore” ishte mundi i socialistëve të Shkodrës.



