Policia e Shtetit ka arrestuar provizorisht në Borsh, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, Moisi Habilajn, 48 vjeç, një person i konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Arrestimi u realizua në kuadër të operacionit policor të koduar “Metodat”, pas një pune intensive hetimore dhe operacionale. Habilaj u lokalizua në një lokal në Borsh dhe u vu në pranga nga forcat e policisë.
Sipas autoriteteve, ai është dënuar nga Gjykata e Katanias në Itali me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burg për pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Ndaj tij u ekzekutua gjithashtu edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri për veprat penale të prodhimit, shitjes dhe trafikimit të narkotikëve, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë edhe Eduart Ahmeti, 46 vjeç, banues në Sarandë, ndërsa shtetasi italian S.F., 70 vjeç, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.



