Nga Tirana në Suedi, nga atletika te rekordet në powerlifting, rrugëtimi i Jurgen Hakanit është historia e një sportisti që nuk u dorëzua as përballë humbjeve më të mëdha të jetës.
I ftuar në lidhje direkte për “ABC e Mëngjesit” nga Suedia, kampioni i bodybuilding dhe powerlifting rrëfen sfidat e emigrimit, sukseset sportive dhe mungesën e vazhdueshme të familjes dhe Shqipërisë.
Prej pesë vitesh ai jeton larg vendlindjes, ndërsa sot punon si trajner në një nga palestrat më të njohura në Suedi. Megjithatë, distanca nuk ka qenë e lehtë.
“Jeta në Suedi më ka bërë pak më të distancuar nga Shqipëria, por malli për familjen, Tiranën dhe shoqërinë mbetet gjithmonë. Ka vite që jam larg dhe e ndiej çdo ditë”, shprehet ai.
Sipas Jurgenit, ndryshimi më i madh mes dy vendeve qëndron te kultura sportive.
“Këtu sporti trajtohet ndryshe. Ka një kulturë të madhe jo vetëm në stërvitje, por edhe në ushqyerjen e pastër, pa hile. Kjo është shumë e rëndësishme për çdo sportist”, tregon ai.
Rrugëtimi i tij në sport nisi herët. Në moshën 14-vjeçare provoi atletikën dhe hedhjen e diskut, ku falë talentit dhe mbështetjes së babait të tij, u evidentua deri në aktivitetet ndërkombëtare për të rinjtë.
Por një ngjarje tragjike do t’i ndryshonte jetën. Në moshën 22-vjeçare humbi babanë e tij, sportistin e njohur Mirjan Hakani. Pas kësaj periudhe të vështirë, Jurgen vendosi të ndryshonte drejtim dhe iu përkushtua bodybuilding-ut, përpara se emigrimi në Suedi ta detyronte të bënte një pauzë të gjatë nga sporti.
“Emigrimi është shumë i lodhshëm në fillim. Duhet të integrohesh, të mësosh gjuhën dhe të ndërtosh jetën nga e para. Edhe pse njihja disa gjuhë të huaja, suedishtja ishte një sfidë krejtësisht e re”, kujton ai.
Por pas vështirësive erdhi rikthimi. Në Suedi ai zbuloi potencialin e tij të vërtetë në powerlifting, sport që sot e konsideron pasionin më të madh.
“Bodybuilding-un e kam mbyllur. Në Suedi nuk ka të njëjtin fokus. Këtu pëlqehen më shumë sportet e forcës dhe unë iu përkushtova plotësisht powerlifting-ut”, thotë kampioni shqiptar.
Megjithatë, pas çdo suksesi të tij qëndron ende figura e babait.
Kanë kaluar 10 vite nga ndarja nga jeta e Mirjan Hakanit, por për Jurgenin ai vazhdon të jetë udhërrëfyesi shpirtëror dhe mentori më i madh.
“Ai nuk ishte mentor vetëm për mua, por për shumë sportistë shqiptarë. Zgjoheshim duke folur për sportin dhe e mbyllnim ditën po me sport. Edhe sot vazhdoj të stërvitem sipas filozofisë së tij.”
Madje, ai pranon se pjesa dërrmuese e teknikës që përdor sot është trashëgimi e drejtpërdrejtë nga i ati.
“95 për qind e teknikës sime është e babait. Shumë njerëz habiten kur më shohin si stërvitem apo si ngre pesha. Në fakt, aty është puna dhe eksperienca e tij.”
Por këshilla që nuk e harron kurrë është një fjali e thjeshtë që babai i përsëriste sa herë përballej me vështirësi:
‘Shumëzoje çdo gjë me zero.’ Një mënyrë për t’i kujtuar se çdo problem, sado i madh të dukej, mund të kalohej me forcë, disiplinë dhe besim në vetvete.
Sot, larg Shqipërisë, Jurgen Hakani vazhdon të thyejë kufijtë në sportet e forcës, duke mbajtur me vete jo vetëm flamurin kuqezi, por edhe mësimet e njeriut që e frymëzoi të mos dorëzohej kurrë.



