Një video e rëndë, e publikuar dje në rrjetet sociale, ka shkaktuar indinjatë dhe zemërim tek qytetarët.
Në pamje shihet një drejtues mjeti që ka tentuar me vetëdije të përplasë dhe të vrasë një qen që ndodhej në rrugë.
Pas publikimit të videos, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kanë kryer verifikimet përkatëse, duke bërë të mundur identifikimin e automjetit dhe të drejtuesit të tij.
Shtetasi në fjalë është shpallur në kërkim dhe ndaj tij ka nisur procedimi penal për veprën penale “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit”, mbetur në tentativë.
Sipas të dhënave paraprake, qeni ka pësuar dëmtime si pasojë e përplasjes së qëllimshme. Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku qytetarët kanë kërkuar ndëshkimin e autorit.
Policia bën me dije se vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personit të shpallur në kërkim me inicialet Gj.Ç.



