Nga rrugicat e Shkodrës, ku topi ishte pasioni i përditshëm i fëmijërisë, deri te stadiumet e Ukrainës, Rusisë, Izraelit, Azerbajxhanit dhe fanella kuqezi e Kombëtares shqiptare. Elvin Beqiri vjen në një rrëfim të sinqertë për jetën dhe karrierën e tij, duke rikthyer kujtimet më të bukura të futbollit.
I rritur në një familje artistësh, ku motrat studionin kanto dhe vëllai pikturë, ai zgjodhi një tjetër skenë për të shkëlqyer: fushën e blertë. Futbolli nisi si lojë lagjeje, për t’u kthyer shumë shpejt në një profesion që do ta çonte larg Shqipërisë. Vetëm 16 vjeç veshi fanellën e ekipit të parë të Vllaznisë, ndërsa vitet e para të karrierës u përballën me sfidat e trazirave të vitit 1997. Megjithatë, talenti dhe këmbëngulja e kthyen në një nga futbollistët më premtues të kohës.
Nga Vllaznia drejt Ukrainës, më pas në Rusi, Izrael, Azerbajxhan e Kazakistan, Elvin Beqiri rrëfen përshtatjen me kultura të ndryshme, vështirësitë e emigrimit dhe ëndrrën për të luajtur në nivelet më të larta të futbollit europian. Një kapitull i veçantë mbetet Kombëtarja shqiptare. Me 46 ndeshje nën ngjyrat kuqezi, ai kujton debutimin, transformimin nga sulmues në mbrojtës dhe fitoren historike ndaj Rusisë në Shkodër. Aftësia për të përdorur njësoj mirë të dyja këmbët u bë një nga armët më të forta të karrierës së tij.
Sot, larg fushave ku bëri emër, Elvin Beqiri ka nisur një mision të ri në Kanada. Me licencën PRO, nivelin më të lartë të trajningut në futboll, ai po themelon “Albanian Eagle Football Club”, akademinë e parë shqiptare të futbollit në Kanada, një projekt që synon të edukojë brezat e rinj dhe të forcojë identitetin sportiv të komunitetit shqiptar./abcnews.al



