Përfaqësuesit e Gjykatës Speciale dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar kanë refuzuar të marrin pjesë në takimin e mbyllur të thirrur në Hagë, ku po prezantohet raporti i Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC).
Ky raport, i hartuar nga autorët Gus Waschefort dhe Lauren Lederle, ka shkaktuar reagime të forta në Gjykatën Speciale. Gjetjet e tij po u prezantohen këtë të enjte diplomatëve evropianë dhe amerikanë, si dhe organizatave e institucioneve që merren me drejtësinë ndërkombëtare dhe tranzicionale.
Mungesën e zyrtarëve të Speciales e ka konfirmuar Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj.
“Ata ishin të ftuar, por nuk dihen arsyet e mungesës së tyre në këtë takim,” deklaroi Qelaj, duke shtuar se institucioni i Avokatit të Popullit nuk ka pasur asnjë ndërhyrje në raportin e publikuar nga pala britanike.



