“Kam mësuar të jetoj me dhimbjen, por jo të dorëzohem. Vajza ime është forca ime më e madhe.” Pas një periudhe të gjatë larg vëmendjes publike, Rudina Hajdari ka bërë një rrëfim të rrallë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aty ku jeton prej afro dy vitesh. Ish-deputetja, e cila ka shmangur pothuajse të gjitha daljet publike gjatë kësaj kohe, ka folur për jetën mes Shqipërisë dhe SHBA-së, sfidat personale, raportin me vajzën e saj dhe mungesën e përhershme të të atit, Azem Hajdarit.
Në një lidhje direkte për “ABC e Mëngjesit”, Hajdari u shfaq larg profilit politik që publiku është mësuar të shohë, duke zbuluar anën e saj më njerëzore dhe familjare.
“Kam mësuar të jetoj me dhimbjen, por jo të dorëzohem”, u shpreh ajo, duke theksuar se përvojat e jetës e kanë bërë më të fortë emocionalisht dhe më realiste.
Rudina tregoi se sot prioriteti i saj kryesor është vajza, Sihana, me të cilën përpiqet të ndajë çdo moment të mundshëm pavarësisht largësisë që shpesh i detyron të jetojnë në kontinente të ndryshme.”Jam një mami e lumtur. Nuk dua që vajza ime të mendojë se ka një familje jo të plotë. I jap këshilla çdo ditë që t’i trajtojë të gjithë njerëzit njësoj, pavarësisht racës, fesë apo statusit ekonomik”, tha ajo.
Ajo pranoi se largësia ka sjellë vështirësi në marrëdhëniet familjare, por jo aq sa të cenojë lidhjen e fortë me vajzën.
“Largësia për ne ka qenë e vështirë, por kjo nuk më ka ndaluar që të kem një raport të shkëlqyer me të. Mundohemi të jemi në kontakt sa më shumë dhe t’i japim gjithë dashurinë e mundshme.”
Duke folur për jetën personale, Hajdari u ndal edhe te koncepti i dashurisë, faljes dhe qetësisë shpirtërore, duke treguar se sot vlerëson më shumë momentet e thjeshta sesa ambiciet publike.
“Nuk kam më nevojë të provoj asgjë me zë të lartë. Sot vlerësoj një mëngjes të qetë, një kafe të mirë dhe kohën me familjen”, tha ajo.
Por momentet më prekëse të intervistës ishin ato kur foli për babanë e saj, liderin historik demokrat Azem Hajdari, i vrarë më 12 shtator 1998.
“S’do ta di kurrë se çfarë i ndodhi me të vërtetë babait tim, por kam bindjet e mia”, u shpreh Rudina, duke kujtuar figurën e tij jo vetëm si politikan, por mbi të gjitha si prind.
“Babai im ishte shumë i angazhuar, por gjithmonë gjente kohë për familjen. Shkolla ishte këshilla e tij kryesore për ne. Problemet e politikës nuk hynin kurrë në shtëpinë tonë.”
Sot, larg politikës aktive dhe jetës së zhurmshme publike që e karakterizoi për vite me radhë, Rudina Hajdari thotë se ka gjetur një ekuilibër të ri. Një jetë mes Shqipërisë dhe Amerikës, mes kujtimeve të së shkuarës dhe përgjegjësive si nënë, duke u përpjekur të ndërtojë qetësinë që dikur nuk e kishte. “Jeta ndryshon brenda një momenti. Njeriu duhet të mësojë të ecë përpara edhe kur ka boshllëqe që nuk mbushen kurrë”, përfundoi ajo.



