Turizmi shqiptar e ka nisur vitin me ritme rekord. Gjatë tremujorit të parë, të ardhurat nga vizitorët e huaj sipas Bankës së Shqipërisë arritën mbi 1 miliard euro, duke u rritur me 14.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për tre muajt e parë të vitit, duke konfirmuar zgjerimin e sezonit turistik përtej muajve të verës.
Rritja e të ardhurave po shoqërohet edhe me zgjerimin e flukseve turistike. Shqipëria po tërheq çdo vit më shumë vizitorë jo vetëm nga tregjet tradicionale, por edhe tregje të reja.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, përgjatë 5 muajve të ëktij vitit vendi ka mirëpritur mbi 3.7 milionë vizitorë të huaj, duke shënuar një rritje më 8.1% krahasuar me një vit më parë.
Interesi në rritje për Shqipërinë është reflektuar edhe në mediat prestigjioze ndërkombëtare. Revista dhe platforma të njohura të udhëtimeve vijojnë ta rendisin vendin mes destinacioneve më tërheqëse për t’u vizituar në Europë, duke vlerësuar plazhet, trashëgimisë kulturore, natyrën dhe kostot e favorshme.
Por, teksa shumë të huaj vijnë në vend, nga ana tjetër është rritur edhe numri I shqiptarëve që udhëtojnë jashtë. Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në tre muajt e parë të vitit shqiptarët shpenzuan për udhëtime jashtë shtetit 579 milionë euro, duke regjistruar një rritje me 11.1% krahasuar me tremujorin e vitit të kaluar.
Pritshmëritë për turizmin shqiptar mbeten optimiste për këtë vit. Operatorët turistik kanë raportuar rritje të rezervimeve dhe nëse tendenca aktuale do të vazhdojë edhe gjatë sezonit veror, viti pritet të shënojë rekorde të reja si për numrin e vizitorëve, ashtu edhe për të ardhurat që gjeneron industria e turizmit.



