Një raport i ri i Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar të Hetimit të mandatuar nga OKB-ja ka ngritur alarmin për situatën e civilëve palestinezë, duke deklaruar se ata janë të “bllokuar” mes veprimeve të forcave izraelite, dhunës së kolonëve hebrenj dhe sundimit të Hamasit.
Sipas raportit, civilët në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar po përballen me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, të cilat, sipas hetuesve, po kryhen në mënyrë “sistematike dhe të qëllimshme”.
Komisioni, i cili vitin e kaluar arriti në përfundimin se Izraeli kishte kryer “akte gjenocidi” gjatë luftës në Gaza, thekson se palestinezët e zakonshëm po vuajnë pasojat e një realiteti të dyfishtë: nga njëra anë dhuna dhe operacionet ushtarake izraelite, e nga ana tjetër klima e frikës e krijuar nga sundimi i Hamasit.
Raporti i kushton vëmendje të veçantë edhe Bregut Perëndimor, ku dhuna është përshkallëzuar ndjeshëm që prej nisjes së luftës në Gaza në tetor të vitit 2023. Hetuesit vlerësojnë se sulmet e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve janë shtuar dhe po ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e popullsisë civile.
“Kjo dhunë nga kolonët është rezultat i drejtpërdrejtë i politikave izraelite që mbështesin, lehtësojnë dhe mbrojnë veprimet e tyre”, deklaroi Srinivasan Muralidhar.
Raporti pritet të shtojë presionin ndërkombëtar mbi palët e përfshira në konflikt, ndërsa situata humanitare në Gaza dhe tensionet në Bregun Perëndimor vazhdojnë të mbeten ndër shqetësimet kryesore të komunitetit ndërkombëtar.


