Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Xhavit Shala, vlerëson se konflikti mes Izraelit dhe Iranit mbetet ende i kontrolluar, pavarësisht tensioneve të larta dhe interesave të kundërta të palëve.
I ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, Shala theksoi se Izraeli nuk pranon kompromise kur bëhet fjalë për sigurinë e tij kombëtare, ndërsa Irani kërkon që çështjet rajonale, përfshirë atë të Hezbollahut, të trajtohen në kuadër të një marrëveshjeje më të gjerë.
Sipas tij, situata po ushtron presion të madh edhe mbi presidentin amerikan Donald Trump, i cili përballet me sfida të brendshme politike, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu synon ta zgjasë konfliktin deri në periudhën zgjedhore.
“Izraeli në raport me interesat e tij të sigurisë kombëtare, nuk pranon asnjë lloj kompromisi. Ata po përpiqen që çështjen me Hezbollahun ta trajtojnë si çështje më vete, kurse Irani e kërkon që të jetë bashkë me marrëveshjen. Trump është në një trysni shumë të madhe, pasi është rritur shumë presioni brenda vendit.
Ai ndodhet në një situatë të vështirë. Ndërkohë që muajt po ikën, lufta nuk po mbaron dhe vijnë zgjedhjet në fund të mandatit. Nga ana tjetër Netanyahu kërkon që ta zgjasë luftën, derisa të hyjë në zgjedhje në gjendje lufte. Konflikti vazhdon që të jetë akoma i kontrolluar”, tha Shala.


