Më në fund mbërritën. Jo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçse fare pranë saj, në Meksikë. Futbollistët e Iranit, finalistë të Kupës së Botës, e realizuan udhëtimin prej mijëra kilometrash nga Antalia e Turqisë, përmes Spanjës, deri në qytetin meksikan Tihuana, baza e tyre gjatë turneut të madh.
Pikërisht përpara nisjes, administrata amerikane e presidentit Donald Tramp u dha atyre vizat, ndonëse kjo nuk kaloi pa polemika. Pa viza mbetën 15 zyrtarë dhe pjesëtarë të stafit, të cilët sipas Federatës Iraniane të Futbollit, janë pjesë integrale e delegacionit të kombëtares.
Gjithsesi, Irani duket se do të jetë në Botëror, dhe nuk mund të kishte gjetur një bazë më të mirë për të qendruar sesa në Tihuana. Qyteti me rreth 2.3 milionë banorë është pikërisht në kufi me Shtetet e Bashkuara, ngjitur me Kaliforninë, ndërsa është qyteti më perëndimor i Meksikës.
Mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë zhvillim tjetër sepse pikërisht në prag të udhëtimit të kombëtares iraniane, shpërtheu sërish lufta mes Iranit dhe Izraelit, ndërsa goditjet e ndërsjellta me amerikanët nuk kanë munguar.
Ekipi përfaqësues i vendit të Gjirit Persik u stërvit për dy javë në Antalia të Turqisë, duke mbyllur përgatitjet me fitoren 2-0 ndaj Malit, ndërsa u nis drejt Meksikës, ku do të ketë bazën për të qendruar gjatë botërorit. Ndeshjet janë në 16 qershor ndaj Zelandës së Re dhe në 21 qershor kundër Belgjikës në Los Anxhelos, si dhe në 27 qershor përballë Egjiptit në Siatëll./abcnews.al


