Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Nën “Amantia”, gjurmë të reja historie/ Gërmimet e fundit në Parkun Arkeologjik zbulojnë struktura të shekullit III

schedule20:14 - 6 Qershor, 2026

schedule 20:14 - 6 Qershor, 2026

Zbulimet më të fundit në Parkun Arkeologjik të Amantias i përkasin periudhës së shekullit të III para erës sonë dhe hedhin dritë mbi një zonë të vendosur jashtë kufijve të qytetit antik, e cila mendohet të ketë pasur funksione ndihmëse në shërbim të aktivitetit ekonomik dhe të jetës së përditshme.

Sipas arkeologëve, struktura e zbuluar mendohet të ketë shërbyer si një objekt i thjeshtë funksional, i lidhur me aktivitetin bujqësor ose si një pikë ndalesë për kafshët e transportit, duke plotësuar kështu panoramën mbi organizimin e periferisë së qytetit të lashtë.

Gërmimet, të cilat kanë zgjatur rreth një muaj, janë drejtuar nga arkeologu Kledian Çipa, i cili thekson se objekti i identifikuar paraqet karakteristika të qarta të një ndërtese me funksion ekonomik, për shkak të mënyrës së thjeshtë të ndërtimit dhe mungesës së elementeve dekorative apo monumentale.



Gjatë punimeve në terren, nuk janë evidentuar objekte të lëvizshme arkeologjike, çka sipas specialistëve sugjeron se ambienti mund të jetë ripërdorur në periudha të mëvonshme, përfshirë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas. Kjo ka vështirësuar identifikimin e qartë të funksionit të tij fillestar.

Sipas Çipës, kërkimet janë përqendruar edhe brenda mureve të qytetit antik, në sektorin e fortifikimit, ku vazhdon puna e nisur që vitin e kaluar. Në këtë zonë është zbuluar një strukturë e madhe ndërtimore, e cila mendohet të ketë qenë pjesë e organizimit të brendshëm të qytetit.

Sipas të dhënave paraprake, kjo godinë dhe vetë sistemi i fortifikimit kanë qenë në përdorim për një periudhë të gjatë historike, nga shekulli III para erës sonë deri në shekujt V–VI pas erës sonë, përpara se të shkatërroheshin, me shumë gjasë si pasojë e dyndjeve barbare, gjurmët e të cilave janë ende të dukshme në formë djegiesh.

Ndërkohë, në zonën e gërmimeve dyshohet edhe për identifikimin e një strukture kulle, e cila pritet të konfirmohet në vijim të punës kërkimore. Nëse vërtetohet, ky element do të ndihmojë në plotësimin e mëtejshëm të kuadrit mbi organizimin urban dhe mbrojtës të qytetit antik të Amantias.

Arkeologët vlerësojnë se këto gjetje përbëjnë një tjetër hap të rëndësishëm në pasurimin e njohurive mbi Amantian, ndërsa në këtë park pritet që kërkimet dhe gërmimet të vijojnë edhe në faza të tjera.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!